117 MIJË SHQIPTARË NUK PO GJEJNË PUNË

Në Shqipëri ka rregullisht rreth 117 mijë njerëz që nuk arrijnë të gjejnë punë prej më shumë se një viti. Të dhënat e Instat tregojnë se nga 173 mijë të papunë që regjistroheshin vitin e kaluar në Shqipëri, rreth 68% ishin të papunë afatgjatë. Kjo shifër i referohet vetëm punëkërkuesve aktivë, pa përfshirë këtu të papunët e dekurajuar ose ata që thjesht nuk kanë dëshirë të punojnë.

Në tërësi, statistikat e tregut të punës në Shqipëri tregojnë një tendencë pozitive. Shkalla e papunësisë është në nivelin më të ulët historik, prej 11.4%, ndërsa në vlerë absolute numri i të papunëve ka rënë me 21% në katër vitet e fundit. Sidoqoftë, fakt është se pesha e të papunëve afatgjatë kundrejt numrit total të punëkërkuesve është rritur në 68%, nga rreth 64% që ishte katër vjet më parë. Kjo dëshmon se gjetja e një pune për shqiptarët nuk është aq e lehtë dhe ndoshta arsyeja duhet kërkuar te papunësia strukturore, e cila vjen nga mospërputhja e kërkesës dhe ofertës për punë. Fenomeni, i ilustruar shpesh vitet e fundit me parullën “punë ka, por nuk ka profesionistë”, po rezulton i vështirë për t’u adresuar. Mungesa e punonjësve të specializuar është një nga problemet kryesore që rezulton prej anketimeve të ndërmarrjeve, sidomos atyre prodhuese, në vend.

Problemi bëhet edhe më i mprehtë po të shohim nivelet shumë të larta të pasivitetit, veçanërisht mes më të rinjve. Instat raporton se rreth 29% e të rinjve nga 15 deri në 29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë apo në ndonjë kurs formimi profesional. Por, brenda këtij kontigjenti, pjesa dërrmuese, rreth 63%, nuk kërkojnë punë dhe janë ekonomikisht jo-aktivë.

Lexoni dhe kete

MESHA NË KATEDRALEN E SHKODRËS

Në meshën e shenjte të së dieles e transmetuar drejtëpërsëdrejti nga TV Rozafa Arqipeshkvi i …