Saturday , 20 April 2019

285 MIJE TE RINJ DUAN TE EMIGROJNE

Janë rreth 300 mijë të rinjtë shqiptarë të cilët duan të largohen nga vendi, thotë fondacioni “Friedrich Ebert” në raportin më të fundit për të rinjtë në rajonin e europës jug-lindore. Sipas këtij raporti, 43% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi. Pak më shumë se gjysma e tyre, do të donte të largohej nga Shqipëria për më shumë se 20 vite, thuhet në studimin i cili është kryer në formën e një ankete. Nga ana tjetër, 1/3 të rinj shprehet se nuk ka aspak ndërmend që të emigrojë nga vendi. Rreth 76% e atyre që duan të largohen ndërkohë japin si arsye kryesore atë ekonomike, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Europës jug-lindore.

Me një potencial emigrimi në rreth 285 mijë të rinj, Shqipëria është e dyta në rajon, vetëm pas Rumanisë, që ka një popullsi bindshëm më të lartë. Të dhënat duket të jenë alarmante në këtë drejtim. Sa i përket zgjedhjes kryesore të të rinjve shqiptarë për të emigruar, në vend të parë qëndron Gjermania me 26%, në vend të dytë Mbretëria e Bashkuar me 18% dhe më pas Italia, me 16%.

Nga ana tjetër, të pyetur se si ata e vlerësojnë situatën socio-ekonomike në vend, me një notë nga 1-5, të rinjtë shqiptarë i japin vetëm 2.2, që është nota më e ulët ndër të gjitha vendet e rajonit. Nga krahu tjetër, të pyetur të vlerësojnë situatën socio-ekonomike në Bashkimin Europian, të rinjtë shqiptarë japin notën 4.4, më të lartën mes vendeve të rajonit. Mesa duket, është pikërisht diferenca mjaft e lartë në perceptimin e dy realiteteve, atij në vendin tonë, dhe atij në vendet e zhvilluara, ajo që i shtyn të rinjtë shqiptarë që të dëshirojnë në masë të largohen nga vendi.

Lexoni dhe kete

“BILBILAT E VEGJEL TE SHKODRES KENDOJNE”, MBYLLET NATA E FUNDIT

Mbrëmjen e së mërkurës është përmbyllur nata e tretë dhe e fundit e festivalit “Bilbilat …