30 QERSHORI, PAS GURAKUQIT REAGON EDHE VOLTANA ADEMI

Pas ish-deputetit Romeo Gurakuqi, ka reaguar edhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi për presionin e policisë së Shkodrës ndaj punonjësve të Bashkisë Shkodër. Postimin e saj në facebook, Ademi e nis me titullin: “30 Qershori” dhe turpi që bën çdo ditë kjo mazhorancë me presionin ndaj Bashkisë Shkodër.

“Ndërsa të gjitha institucionet ndërkombëtare, më i fundit Këshilli i Europës, vazhdojnë të tregojnë se “30 qershori” është një datë që duhet të turpërojë këtë palo- mazhorancë që qeveris vendin, falangat e saj në Shkodër vazhdojnë marrëzinë e tyre.
Në një akt të paprecedent, në shkelje flagrante të Kushtetutës, Kodit Penal, të të drejtave të njeriut, konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, kjo mazhorancë vazhdon përpjekjen duke sulmuar drejtuesit e punonjësit e Bashkisë së Shkodër.

Për të gjithë dua të kujtoj që vetëm përpara pak ditësh një delegacion i lartë i Këshillit të Evropës ishtë në Shqipëri pas shqetësimeve që opozita shqiptare, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, dhe OSBE ngritën për procesin e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Si Kryetare e Bashkisë Shkodër dhe Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, pata nderin të takohem me zyrtarë të lartë të Delegacionit të Këshillit të Evropës, mes të cilëve edhe Presidentin e Kongresit Anders KNAPE, Presidentin e Dhomës së Rajoneve, Gunn-Marit HELGESEN dhe Presidentin e Dhomës së Autoriteteve Lokale, Xavier CADORET.

Në këtë takim ato ripërsëritën qartë, nevojën që “Shqipëria të ndjekë kursin e reformave, ndërkohë që demokracia lokale u cënua me 30 Qershor, duke çuar më pak pluralizëm në bashkitë e vendit dhe shkatërrim të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi”- deklaroi Presidenti i Dhomës së Rajoneve Gunn-Marit HELGESEN. Por maxhoranca në pushtet, e cila ka “zënë mat” çdo hallkë të institucioneve të pavarura bën hapin e radhës, duke sulmuar sërish Bashkinë Shkodër. Si për cudi, kjo ndodh thuajse 8 muaj pas farsës së 30 Qershorit, dates, ku të gjithë institucionet ndërkobmëtare, po e shënojnë me të kuqe në historinë e pluralizmit shqiptar, si një datë që prodhoi vetëm kaos dhe nuk prodhoi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sikurse kam komunikuar zyrtarisht publikisht e përmes shkresave drejtuar KQZ, Prefektit të Qarkut Shkodër, Drejtorit të Policisë së Qarkut të Shkodrës, edhe sot konfirmoj qendrimin tim të qartë e të patundur, se Bashkia Shkodër zbaton Kushetutën, dekretet e Presidentit dhe ligjet në fuqi.

Ne zbatim te Kodit Zgjedhor te Republikes se Shqiperise, Ligjit nr. 139/2015 “Per veteqeverisjen vendore”, Dekretit me nr. 11199, date 10.06.2019 “Per shfuqizimin e Dekretit nr. 10298, date 05.11.2018 te Presidentit te Republikes se Shqiperise “Per caktimin e dates se zgjedhjeve per organet e qeverisjes vendore”, rikonfirmoj se kam njoftuar zyrtarisht të gjithë këta institucione, duke u kërkuar as më pak e as më shumë, veçse respektimin e ligjit.

Në përgjigjet drejtuar rishtazi institucioneve hetimore, duke qenë e gatshme dhe duke shprehur gjithmonë e pa frikë të vërtetën e ngjarjeve të rënda që kanë shoqëruar 30 Qershorin në Shkodër, kam kërkuar për të disatën herë, duke ngritur zërin fort, publikisht, në emër të ligjit, e duke mos lejuar në asnjë rast të intimidohen apo t’i bëhet presion çdokujt, qytetar e punonjës në adminsitratën publike.

Pavarësisht ngarkesës, peshës jo të vogël , me përgjegjësi, dua të garantoj çdo banor të Shkodrës, se unë do t’i shkoj deri në fund. Dua të besoj që vetëm përmes ligjit dhe të drejtës mund t’ia dalim. Dua të besoj e të vazhdoj të luftoj fort, që e drejta të vendoset në vend, që e drejta jonë të triumfojë, që jo vetëm Bashkia Shkodër, por çdo punonjës i administratës në Bashkitë e tjera të vendit e në administratën publike, të mos jetë nën presionin e politikës kriminale. Askush nuk duhet të guxojë më!” – shkruan Ademi.

Lexoni dhe kete

ZGJEDHJET E 30 QERSHORIT NË BASHKINË LEZHË, JA ÇFARË KËRKON GJYKATA E LEZHËS

Pas ankimimit të paraqitur nga PD Lezhe, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka vendosur shfuqizimin …