50% E FUQISË PUNËTORE ME 8-VJEÇARE, NDËR MË TË PAARSIMUARAT NË EUROPË

Forca e punës në Shqipëri (popullsia në moshën 15-64 vjeç) është relativisht pak e arsimuar në  krahasim me rajonin dhe vende të tjera në zhvillim dhe shumë më pak e arsimuar në raport me mesataren e Bashkimit Europian.

Duke analizuar indikatorët e zhvillimit botëror, të azhurnuar nga Banka Botërore, rezulton se Shqipëria ka rreth 50% të forcës së punës me arsim 8-vjeçar, teksa në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, forca e punës dominohet nga niveli i mesëm dhe i lartë i arsimit.

Nga 20 vendet në zhvillim të Europës, Turqia dhe Shqipëria renditen të parat për fuqinë e madhe punëtore me nivel të ulët të arsimit. Në Turqi, rreth 60% e forcës së punës është me arsim primar.

Ndërsa vendet baltike si Rusia, Estonia dhe Lituania kanë përqindjet më të larta të forcës së punës më arsim të lartë. Në rajonin e Ballkanit, Serbia dhe Mali i Zi kanë përqindjet më të larta të forcës së punës me arsim të lartë.

Serbia dhe Bosnja, nga ana tjetër, kanë përqindjen më të madhe të fuqisë punëtore me arsim të mesëm dhe për rrjedhojë, kanë më pak popullsi në moshë pune me arsim fillor.

Në një krahasim më të gjerë të 20 vendeve në zhvillim të Europës shihet se Çekia dhe Sllovakia janë vendet që rreth 70% të forcës së punës e kanë me arsim të mesëm.

Nga ana tjetër, sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, forca e punës në Shqipëri ka hyrë në fazën e një tranzicioni të thellë, për shkak të plakjes së popullsisë prej emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve.

Sipas projeksioneve të rishikuara të popullsisë nga Kombet e Bashkuara më 2017, shihet se forca e punës (mosha 15-64 vjeç) do të përbëjë 60% të popullsisë  nga më shumë se 68% që është aktualisht. Por pavarësisht kësaj situate, familjet shqiptare shpenzojnë shumë për t’u arsimuar në raport me vendet e tjera.

Shpenzimet për arsim, të cilat zënë 4,4% të buxhetit të familjeve gjithsej, kanë shënuar rritje prej 2,3 pikë përqindje krahasuar me 2015. Pesha e shpenzimeve për arsimin shënoi rekord më 2016 në krahasim me 1.7% që ishte një dekadë më parë

Lexoni dhe kete

MINISTRIA E FINANCAVE I PËRGJIGJET PD PËR INVESTIMET E HUAJA: 2 MLD EURO NË DY VITE

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike se investimet e …