Me anë të një postimi në facebook, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka reaguar për situatën e përmbytjeve në zonën e NënShkodrës.
Situata paraqitet problematike sidomos për gjënë e gjallë, ku mungon baza ushqimore sipas Ademit.
“Nuk kemi asnjë përgjigje për furnizimin e kërkuar për bazë ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e përmbytura. Me rifillimin e reshjeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës, të cilat parashikohet të vazhdojnë disa ditë, vështirësohet situata për banorët, fermerët dhe gjënë e gjallë.
Sot, sipërfaqja nën ujë është 738 hektarë dhe sipas parashikimeve pritet të rritet në datat 22- 26 janar. Problemi kryesor vazhdon të mbetet furnizimi me koncentrat, sanë – ushqim për gjënë e gjallë. Që me datën 14 janar 2021 kemi dërguar kërkesën në Institucionin e Prefektit të Qarkut për ushqim për gjënë e gjallë në territoret e përmbytura.
Kemi kërkuar 156 ton koncentrat për plotësimin e nevojave për 10 ditë, për rreth 2550 krerë gjedhë, rreth 2720 krerë të imta dhe rreth 760 krerë derra.
Deri tani, nuk ka asnjë reagim nga institucionet shtetërore për sigurimin e ushqimit. Është një detyrim i Ministrisë së Bujqësisë sigurimi i koncentratit për gjënë e gjallë, teksa përmbytja është pasojë e shkarkimeve nga hidrocentralet.
I bëj thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Prefekturës Shkodër, Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile që t’i përgjigjen nevojës të komunitetit për ushqim për gjënë e gjallë.
Kjo situatë do të vazhdojë për disa javë deri në tërheqjen e ujit, me pasoja të rënda për kulturat bujqësore, ndër të cilat edhe ato që përdoren si ushqim për blegtorinë.” – shkruan Ademi.