Sunday , 8 December 2019

ADEMI: RAMA TE MOS FUSE DUART TEK EMERIMET NE GJYKATEN KUSHTETUESE

Shoqata e Kryebashkiakëve të Shqipërisë dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ligjshmërinë e votimeve të 30 qershorit. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, tha se ankimi i dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhet me mbajtjen e zgjedhjeve pa dekret të Presidentit dhe po ashtu edhe me regjistrimin e Bindjes Demokratike jashtë afatit. Ndërkohë Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht gjithë administratën zgjedhore që u angazhua me procesin e 30 qershorit në Lezhë.

Kryetarja e Shoqatës së Kryebashkiakëve të Shqipërisë,Voltana Ademi, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretimin e ligjshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në prani të avokatit që përfaqëson këtë çështje Jordan Daci, kryebashkiakja e Shkodrës tha se shpreson që shqyrtimi i këtij rasti të bëhet menjëherë pas ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Ademi theksoi se argumentet e kërkesës së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhen me mbajtjen e votimeve në një datë të anuluar nga presidenti dhe pjesëmarrjen në proces të partisë Bindja Demokratike, e cila ishte regjistruar jashtë afateve.

Ademi: Kemi referuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me objekt konstatimin antikushtetues të procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor. Objekti i dytë ka lidhje me cerifikimin e kushtetutshmërisë të veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike lidhur me regjistrimin e saj në zgjedhjet e 30 qershorit me argumentat që tashmë dihen. Dekreti i Presidentit duhej të merrej në konsideratë.

Shpresojmë që në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese të jetë në punë dhe të funksionojë të mund të fillojë menjëherë gjykimin e një çështje me rëndësi. Edi Rama të mos pengojë dhe kjo gjykatë të ngrihet sa më shpejt dhe të mos fusë duart në emërimet që do të realizohen. Shpresojmë që gjykata të marrë sa më shpejt në shqyrtim këtë çështje. Ne po veprojmë në mënyrë institucionale. Të gjithë kryetarët e bashkive apo subjektet e interesuara kemi bërë atë që ne kemi gjykuar që është e drejtë”.

Më herët Partia Demokratike ka dorëzuar kallëzim penal në prokurori për akuzën e krimeve zgjedhore për të gjithë komisionerët dhe numëruesit e angazhuar në votimet e 30 qershorit edhe në Bashkinë e Lezhës. Në padi kërkohet nisja e hetimit për 10 vepra penale nga falsifikimi i dokumenteve dhe rezultatit zgjedhor deri tek kanosja e zgjedhësve.

Opozita bën me dije se administrata zgjedhore ka kryer veprime të rënda e të paligjshme në kundërshtim me dekretin e Presidentit.

Lexoni dhe kete

KOMISIONI I LIGJEVE, ADEMI PËRGËNJËSHTRON ULSI MANJEN

Në një kohë kur kryetarja ende në detyrë e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi ishte …