Friday , 27 November 2020

ADMINISTRATORI NAKU JEP DORËHEQJEN NGA VLLAZNIA

Përpos atmosferës entuziaste që ka mbizotëruar në kampin shkodran mbrëmjen e së shtunës pas fitores 3-2 ndaj Tiranës, ka patur edhe një ngjarje tjetër që ka marrë vëmendjen e duhur.

Bëhet fjalë për dorëheqjen e administratorit të Klubit të Futbollit Vllaznia Benjamin Naku. Duket se përplasjet e tij me sponsorin Xhaferi e kanë detyruar atë të ndërmarrë një veprim të tillë.

Dhe Naku ka pritur përfundimin e ndeshjes me bardheblutë për të dhënë lamtumirën e tij përmes një njoftimi që ka shpërndarë për mediat dhe opinionin sportiv shkodran. Në këtë njoftim ai ka bërë të ditur se e ka marrë me shumë dëshirë këtë detyrë me idenë për të bërë më të mirën për Vllazninë, por ka hasur në jo pak pengesa.

Pikërisht duke u ndalur edhe në problemet që ka patur me sponsorin Xhaferi, ish- administratori Naku ka bërë të ditur se në bazë të strukturës ligjore mbi të cilën funksionon klubi, sponsori asnjëherë nuk mund të marrë kompetencat e presidentit apo të administratorit.

Administratori i larguar tashmë nga drejtimi i klubit po ashtu ka bërë të ditur se Xhaferi deri në këto momente ka dhënë vetëm 30 milionë lekë, ndërkohë që ka vendosur emrin e vet ne kostumet sportive të ekipit të parë dhe të Akademise, si dhe ka marrë në përdorim gjithë hapësirat e reklamës në stadium, që vlejnë shumë më tepër se sa kontributi i tij financiar.

Sipas Nakut, dorëheqjen ia ka paraqitur Këshillit Mbikëqyrës që prej datës 17 nëntor, por ka pritur përfundimin e ndeshjes me Tiranën për ta bërë atë publike, duke shpresuar që të mos ndikojë në prishjen e atmosferës. Në fund të letrës së shpërndarë, ai ka deklaruar se “me mendje e zemër do të jem gjithnjë pranë Vllaznisë, për ta mbështetur e suportuar si në raste gëzimesh, por edhe kur ajo të jetë në momente të vështira.

Motoja ime e jetës sportive por edhe më pas ka qenë gjithmonë: ”Unë s’kam zemër, unë kam Vllazni”! Dhe kështu, do të jetë përgjithmonë”- ka shkruar Naku i cili po ashtu, ka falenderuar të gjithë bashkëpuntorët pjesë e strukturës së KF “Vllaznia” të cilët me përkushtimin e tyre (megjithëse kanë 6 muaj pa marrë rrogat) krijojnë kushtet e nevojshme për mirëfunksionimin e klubit. Benjamin Naku kësisoj nuk është më administrator i klubit shkodran dhe tashmë pritet të mësojmë se kush do ta zëvendësojë atë.

Lexoni dhe kete

FUTBOLL FEMRA/ FITOJNË VLLAZNIA E JUBAN DANJA

Kampionati kombëtar i futbollit të femrave ka luajtur edhe ndeshjet e javës së tretë dhe …