Wednesday , 21 February 2018

AKADEMIA VLLAZNIA, DY FITORE TË TJERA NË KAMPIONAT

Java e 12-të e kampionateve të moshave ka rezultuar e mbarë për ekipet e Akademisë tonë. Të dy ato kanë fituar pastër ndaj kundërshtarëve të tyre, pikërisht ekipeve të Akademisë së Futbollit, në ndeshjet e luajtura në fushën sportive “Reshit Rusi”. Vllaznia U-19 ka fituar me rezultatin e thellë 5-0 ndërsa Vllaznia U-17 ka fituar 2-0. Ndeshja e parë ka qenë ajo në mes ekipeve të 17 vjeçarëve. Me nga një gol të shënuar në secilën pjesë loje, Vllaznia U-17 ka marrë fitoren e rradhës në kampionat. Kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Nefail Zhejani dhe Denis Zmijani, e kanë dominuar lojën në të gjitha drejtimet. Në pjesën e parë ka shënuar sulmuesi Sindrit Barbullushi ndërsa në të dytën, autori i golit tjetër ka qenë futbollisti Olsi Mali.

Me këtë fitore, Vllaznia U-17 është ngjitur në kuotën e 31 pikëve duke mbajtur sërish vendin e parë në tabelën e klasifikimit. Ajo ka 10 fitore të arritura, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje, me golaverazhin e shkëlqyer prej 33 golash të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar. Pas këtij takimi, ka nisur ai i 19 vjeçarëve. Rezultati është zhbllokuar që në minutën e dytë kur ka shënuar Fikaj ndërsa më pas kanë shënuar edhe Gruda, Qardaku dhe Lisaj dy herë. Në pjesën e dytë, futbollistët shkodranë e kthyen më tepër në një seancë stërvitore sepse fati i kësaj ndeshje tashmë ishte vendosur. Ata nuk kanë shënuar gola të tjerë dhe për rrjedhojë, i gjithë takimi është mbyllur në shifrat e thella 5-0.

Me këtë fitore, Vllaznia U-19 vazhdon të ndjekë hapin e dy ekipeve të para, Shkëndisë dhe Partizanit dhe padyshim që në javët e ardhshme pritet një rivalitet i fortë mes tyre. Javën e ardhshme, kuqeblutë do presin në Shkodër skuadrën e kuqe ku do të synohet sërish fitorja ashtu si në ndeshjen e Kupës.

Lexoni dhe kete

GJOKA: FITORJA NDAJ TEUTËS ISHTË NJË FITORE QETËSIE

Fitorja e së hënës ndaj Teutës i ka dhënë qetësinë e duhur Vllaznisë në rrugën …