Breaking News

AKADEMIA VLLAZNIA, NJË FITORE E NJË HUMBJE NË JAVËN E PARAFUNDIT

Java e parafundit e kampionateve të moshave ka dhuruar një fitore dhe një humbje për ekipet e Akademisë Vllaznia. 19 vjeçarët shkodranë janë mundur në Tiranë nga Partizani me rezultatin 2-1 megjithatë kjo humbje nuk ia ndërlikon atyre pozitat për vendin e parë që e kanë siguruar që javën e kaluar. Ndeshja është luajtur në kryeqytet dhe për Vllazninë nuk kishte shumë rëndësi. Trajneri Zmijani thjesht po i shfrytëzon këto ndeshje të fundit për të testuar skuadrën në prag të sfidave më të rëndësishme të sezonit, ato të plej-ofit.

Në minutën e 11-të të ndeshjes së sotme, të kuqtë kanë fituar një 11-metërsh që është kthyer në gol nga Haxhiu. Por në minutën e 29-të do të ishte Elmir Lekaj që do të barazonte për kuqeblutë. Megjithatë barazimi ka zgjatur vetëm një minutë sepse Çela ka shënuar golin e dytë për Partizanin. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat. Në të dytën u prit një reagim i Vllaznia U-19 por në minutën e 49-të Rahova do të merrte kartonin e dytë të verdhë dhe për rrjedhojë edhe të kuqin duke e lënë skuadrën e tij me një futbollist më pak. Pavarësisht kësaj, shkodranët kanë tentuar deri në fund të barazojnë por nuk ia kanë dalë. Gjithsesi, ka qenë një humbje që nuk ka shumë rëndësi. Të dielën luhet në Shkodër ndeshja e fundit e fazës së tretë, ajo ndaj Shkëndisë.

Ndërkohë Vllaznia U-17 këtë javë ka luajtur në Shkodër ndaj ekipit të AAS-së dhe ka fituar me rezultatin 3-1. Protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë sulmuesi Sindrit Barbullushi që ka shënuar plot 3 gola në këtë takim. Golin e parë e ka shënuar në minutën e 8-të duke kaluar në avantazh ekipin e tij. Kur u duk se pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol, ka qenë Marku që ka barazuar shifrat për AAS-në. Por vetëm kaq. Në të dytën, do te dilte në skenë sërish Barbullushi që do të shënonte edhe dy gola të tjerë, përkatësisht në minutat 49 dhe 74 duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej në shifrat 3-1 për Vllaznia U-17. Me këtë fitore ajo është ngjitur në kuotën e 61 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje dhe tashmë ajo ka filluar të mendojë për ndeshjet e plej- ofit ku do të tentojë padyshim fitimin e titullit kampion.

 

Lexoni dhe kete

PREZANTOHET STAFI I RI, KRAJA: E VËSHTIRË POR DO TENTOJMË

Pasditen e së martës Ervis Kraja bashkë me një staf trajnerësh të Akademisë dhe pikërisht …