Sunday , 27 September 2020

ANTON QAFARENA FIRMOS ME KAMPIONEN E UKRAINËS

Pas tre vitesh aktivizimi në Bundesligën gjermane me ekipin Buhl Bisons, volejbollisti shkodran Anton Qafarena nga sot do të nisë zyrtarisht një aventurë të re. Ai është bërë pjesë e ekipit ukrainas FC Barkom. Drejtuesit e këtij të fundit kanë kohë që e kanë ndjekur dhe kanë arritur ta bindin për t’u bërë pjesë e tyre për sezonin e ri. Ish- volejbollisti i Vllaznisë ka mbërritur mbrëmë vonë në qytetin Kazhany ku e ka selinë ekipi i tij i ri dhe sot ka hedhur firmë në kontratë.

Përpos ofertës së mirë financiare që përfshin kontrata e firmosur me këtë klub, një nga arsyet që e ka shtyrë Qafarenën të shkojë e të luajë në Ukrainë është edhe ajo se ekipi i tij Barkom merr pjesë në Kupat e Europës dhe padyshim që pjesmarrja në këto kompeticione është një tjetër arritje për të si sportist. Duhet thënë se 23 vjeçari shkodran që u pat shpallur edhe kampion me Vllazninë para tre sezonesh, është rritur shumë nga ana profesionale gjatë aktivizimit në Gjermani, ku luhet një nga katër kampionatet më të forta të Europës.

Lojtari i kombëtares shqiptare tashmë nis një kapitull të ri në Ukrainë dhe normalisht që ka shumë për të dhënë. Kjo është edhe arsyeja pse drejtuesit e Barkom kanë këmbëngulur për ta marrë duke e projektuar menjëherë në formacion si titullar në rolin e diagonalistit të parë. Ky padyshim që është një sukses dhe Qafarena do të mundohet të japë më të mirën e tij por edhe të volejbollit shqiptar me këtë skuadër si në kampionatin e Ukrainës ashtu edhe në ndeshjet e Kupave të Europës.

Lexoni dhe kete

DREJTUESIT E ATLETIKËS MBËSHTETJE MORALE VILDAN TUFIT

Trajneri i mirënjohur i atletikës Vildan Tufi prej disa kohësh nuk po kalon një gjendje …