ASTRIT KRONAJ I VLLAZNISË SHPALLET FITUES I “KUPËS SË ÇLIRIMIT”

Çiklistët e Vllaznisë kanë fituar një tjetër garë të zhvilluar këtë vit nga Federata Shqiptare e Çiklizmit. Këtë herë ka qenë rradha e Astrit Kronajt për t’u ngjitur në podium si fitues. Bëhet fjalë për suksesin në “Kupën e Çlirimit”, organizuar pasditen e së premtes me rastin e festës së çlirimit të kryeqytetit dhe në të cilin kanë marrë pjesë sportistët më të mirë të të gjithë vendit.  Gara ka patur karakter malor. Ka nisur në Tiranë, ka vazhduar deri në Elbasan dhe ka marrë në maloren e Qafë- Krrabës, pikërisht në Gracen. Vllaznia ishte planifikuar të merrte pjesë me 6 sportistë në këtë garë por dy prej tyre kanë qenë të pafat. Sion Gjoka para garës ka ndjerë shqetësime dhe nuk ka mundur dot të hyjë në garë ndërkohë që më problematike ka qenë situata për Kledison Canin.

Në dalje të tunelit të Krrabës, ai është penguar në një gur që kishte dalë në rrugë dhe është rrëzuar. Prej këtij rrëzimi ka pësuar dëmtime të ndryshme dhe ambulanca e ka dërguar menjëherë në spitalin e Elbasanit ku ka qëndruar për disa orë duke marrë mjekimin e duhur. Përveç plagëve të ndryshme, Cani ka dëmtuar edhe klavikulën. Stafi i ekipit të Vllaznisë por edhe përfaqësues të Federatës kanë qenë vazhdimisht pranë tij tek spitali dhe pas disa orësh qëndrimi aty, edhe ky çiklist është nisur drejt Shkodrës bashkë me shokët e tjerë të ekipit por i duhet që për një periudhë jo të vogël të qëndrojë pushim për t’u rikuperuar. Sa i takon garës, Astrit Kronaj ka bërë një pedalim perfekt duke dominuar mbi të gjithë konkurrentët e tjerë dhe i shkëputur ka mbërritur i pari në finish. Pas tij kanë mbërritur dy çiklistët e Teutës Arjan Aliaj dhe Ridvan Tafili.

Kësisoj edhe kjo garë fitohet nga çiklistët e Vllaznisë. Në 10 garat e zhvilluara këtë vit, ata kanë arritur të fitojnë 9 prej tyre dhe kjo tregon më së miri për dominimin e sportistëve të drejtuar nga trajneri Leonat Kola të cilët po punojnë me shumë pasion për kthimin e këtij sporti sërish në nivele të larta.

Lexoni dhe kete

MARASHI: SUKSESET E ATLETIKËS SHKODRANE DO VAZHDOJNË

Ecuria shumë e mirë e atletikës shkodranë në këto 28 vitet e fundit, e shoqëruar …