Wednesday , 27 June 2018

ATLETI FRANKO BURRAJ THYEN REKORDIN E 400 METRAVE

Atleti I Vllaznisë dhe I kombëtares shqiptare Franko Burraj paraditen e së mërkurës ka bërë realitet një nga ëndërrat më të mëdha të tij si sportist: Ka arritur të thyejë rekordin kombëtar të garës së 400 metrave. Një arritje që vjen pas disa përpjekjeve të bëra kohët e fundit. Ka ndodhur kështu në garat e zhvilluara në Tarragona të Spanjës pikërisht në Lojërat Mesdhetare ku ai po merr pjesë. Burraj ka konkurruar në baterinë B dhe është renditur i dyti pas një atleti spanjoll por ajo që veçohet është koha e arritur nga Burraj me 46 sekonda e 71 të qindtat. Një kohë që është 10 të qindtat më e mirë se rekordi i mëparshëm i kësaj gare që mbahej nga një tjetër atlet shkodran- Ilir Xhani.

Ky i fundit e kishte vendosur rekordin me kohën 46 sekonda e 81 të qindtat plot 21 vite më parë, më 28 qershor 1997 në një garë të zhvilluar në Athinë të Greqisë. Pikërisht kjo gjë e bën edhe më të veçantë rekordin e sotëm të Franko Burraj që e shkruan emrin e tij në librin e artë të rekordmenëve shqiptarë. Megjithatë, ai nuk ka ndër mend të ndalet këtu. Nesër do të zhvillohet finalja e garës së 400 metrave në Lojërat Mesdhetare dhe ai do të tentojë sërish thyerjen e këtij rekordi. Por jo vetëm kaq. Ky atlet do të na dhurojë bashkë me trajnerin e tij Bruno Rrotani edhe shumë gjëra të tjera të mira në të ardhmen sepse ende nuk i ka mbushur 20 vjeç.

Nga ana tjetër po sot ka konkurruar në Tarragona edhe atleti tjetër shkodran Izmir Smajlaj. Në garat gjysmëfinale, ka kryer vetëm dy kërcime dhe me rezultatin më të mirë 7 metra e 77 centimetra, ka siguruar kualifikimin në finale. Për të, gara e sotme ka qenë më tepër një stërvitje para finales që do të zhvillohet dy ditë më pas dhe ku padyshim që Izmir Smajlaj duket I sigurtë në zonën e medaljeve por do të synojë atë të artën. Në këtë mënyrë, atletika shkodrane vazhdon të na dhurojë surpriza dhe rezultate të larta që me siguri do të vazhdojnë edhe më tej.

Lexoni dhe kete

ÇIKLISTËT E VLLAZNISË GATI PËR KAMPIONATIN KOMBËTAR

Çiklistët e Vllaznisë mbyllën me sukses trofeun “Korça” ku dominuan në të tre etapat e …