ATLETIKË/ BURRAJ E NIS MIRË KAMPIONATIN EUROPIAN

Atleti shkodran Franko Burraj e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme Kampionatin Europian të 23 vjeçarëve që është duke u zhvilluar në Gavle të Suedisë. Në garat kualifikuese të disiplinës së 400 metrave ku ai është duke marrë pjesë, sportisti i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare është renditur i pari në baterinë e dytë me kohën 47 sekonda e 14 të qindtat, duke lënë në vend të dytë një atlet italian dhe në të tretin një francez. Këto tre sportistë kanë fituar të drejtën për të kaluar në gjysmëfinalen e këtij Europiani, gara që do të zhvillohen ditën e nesërme ndërkohë që shpresat janë të mëdha për të dominuar edhe aty dhe për të kaluar në finalen e së shtunës.

Duhet thënë se në garën e sotme, Burraj i ka bërë një interpretim perfekt dhe i vendosur në korsinë e pestë, ai ka pedaluar në mënyrën e duhur duke krijuar një shkëputje të konsiderueshme nga kundërshtarët e tij dhe kjo i ka dhënë mundësinë që në metrat e fundit, të ndalë disi hapin dhe kjo ndoshta e ka penalizuar për të mos thyer rekordin e tij, por megjithatë atleti ynë më shumë duket se ka patur mendjen të ruajë forcat për garën e nesërme. Megjithatë me kohën e arritur sot, renditet në vendin e parë në mes 32 pjesmarrësve. Gjithsesi tashmë vëmendja e tij dhe e trajnerit Bruno Rrotani është e përqendruar tek gara e së premtes, ajo gjysmëfinale dhe më pas finalja.

Të dy ata e kanë deklaruar që përpara nisjes se do të tentojnë të futen në zonën e medaljeve në këtë Europian dhe nëse do e arrijnë, do të ishte diçka fantastike. Kemi të bëjmë me një sportist i cili tashmë ka bërë për vete rekordet kombëtare të 200 dhe 400 metrave dhe tashmë po synon edhe medaljet në Europë. Mundësitë dhe aftësitë për ta bërë këtë gjë i ka dhe prandaj presim medalje prej tij ditën e shtunë në garat e Suedisë.

Lexoni dhe kete

NIS JAVA VENDIMTARE PËR EKIPIN E VLLAZNISË

Java në të cilën kemi hyrë pritet të sjellë zhvillime shumë interesante tek Vllaznia. Gjatë …