ATLETIKË/ FRANKO BURRAJ E MBYLL I 5-ti EUROPIANIN

Dëshira për të marrë medalje në Kampionatin Europian të 23 vjeçarëve, nuk është bërë realitet për atletin shkodran Franko Burraj. Në garën finale të 400 metrave, zhvilluar pasditen e së shtunës në Gavle të Suedisë, 21 vjeçari është renditur në vendin e pestë duke mos fituar kësisoj të drejtën për t’u ngjitur në podium. Koha me të cilën ka përshkruar këtë distancë ka qenë 46 sekonda e 79 të qindtat, e cila ka qenë 13 të qintat më shumë sesa ajo e gjysmëfinales dhe tregon më së miri se forma e sportistit të Vllaznisë nuk ka qenë ajo e duhura në finale.

Sipas trajnerit Bruno Rrotani, tek Franko janë vërejtur shenja lodhje në këtë garë sepse ai nuk është mësuar të zhvillojë tre gara në tre ditë siç ndodhi gjatë këtij Europiani. Megjithatë, edhe vendin e pestë në kontinent, trajneri Rrotani e konsideron një sukses duke parë nivelin e lartë të kundërshtarëve dhe kushtet në të cilat ato stërviten. Gjithsesi Burraj duhet vlerësuar në maksimum për këtë paraqitje të bërë në garat e Suedisë ku arriti të tregojë një nivel të lartë dhe të matet si I barabartë me kundërshtarët e tij.

Natyrisht që mosha e tij e re të bën të shpresosh shumë për të ardhmen, por e rëndësishme është që ai duhet mbështetur. Kryesisht në dhënien e mundësisë për të zhvilluar sa më shumë gara ndërkombëtare sepse vetëm në këtë mënyrë, cilësia e tij mund të kapë majat pasi të dhënat I ka. Dhe në fakt, javën e ardhshme për Franko Burraj ka dalë një mundësi për të marrë pjesë edhe në një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet në Greqi dhe ku padyshim që do të synojë edhe atje suksesin.

Lexoni dhe kete

KATËR SPORTISTË TË RINJ SHKODRANË NË “BAKU 2019”

Ne fundin e javes se ardhshme, ne Baku te Azerbajxhanit do te nise “Festivali Olimpik …