BARDH JERA ZGJIDHET SËRISH ANËTAR I KE TË FSHF-së

Përpos zgjedhjeve për presidentin e ri, Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit ka zgjedhur edhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të saj. Në garë për 9 vendet e këtij Komiteti kanë qenë plot 23 kandidatë ndër të cilët edhe dy shkodranë, Bardh Jera e Gëzim Podgorica. Pas votimeve të bëra, fitues ka rezultuar vetëm i pari. Në fakt, për ish- futbollistin e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare, kjo është hera e dytë që zgjidhet. Madje Jera ka rezultuar fitues që në raundin e parë të votimeve të djeshme sëbashku me Arben Dervishajn, Abdyl Kuriun, Lutfi Nurin e Vasil Bici. Kjo pesëshe është zgjedhur menjëherë ndërkohë që për të plotësuar Komitetin e ri është dashur edhe një votim i dytë.

Pas përfundimit të këtij të fundit, komisioni përkatës ka nxjerrë fitues edhe Enkelejd Alibeajn, Edvin Libohovën, Bardhyl Minxhozin dhe Edmond Spahiu. Por ky i fundit në fakt është kontestuar pas përfundimit të punimeve të Asamblesë. Ka qenë Kristian Gjidodaj, një kandidat i ardhur nga Qarku i Lezhës ai që ka deklaruar se ka patur një ngatërrim në numrin e votave sepse sipas pretendimeve të tij, ai ka patur më shumë vota sesa kandidati që u shpall fitues, Edmond Spahiu. Në këtë kontekst, gjithnjë sipas pretendimeve të Gjidodajt, Komisioni e ka marrë parasysh një kontestim të tillë, ka bërë verifikimet dhe ka konstatuar një gabim të tillë.

Çka do të thotë se ky Komision duhet të shpallë si anëtarin e nëntë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit Kristian Gjidodajn dhe jo Edmond Spahiun. Ajo çka vlen më shumë në këtë rast është se edhe Komiteti i ri Ekzekutiv do të jetë thuajse i njëjti me atë të kaluarin, pra ndjek rrugën e presidentit Armando Duka që do të drejtojë futbollin shqiptar edhe në katër vitet e ardhshme.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA FEMRA FITORE E THELLË NDAJ “JUBAN DANJA”

Ekipi I Vllaznisë në futboll për femra arrin një tjetër fitore në kampionat dhe tashmë …