Protesta e opozitës ka hyrë në ditën e saj të 8-të dhe kryetari i PD-së Lulzim Basha shprehet i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje me këtë qeveri. Në një bashkëbisedim me emigrantët, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë që mos provokojë, pasi pas cdo shuplake kundër qytetarëve do të marrë pas grushtin e tyre. Duke i quajtur protestuesit e vendosur në çadrën para kryeministrisë “ushtri e Republikës së Re” Basha tha se protesta e tyre nuk është lojë por është luftë nga e cila nuk ka kthim dhe do të kthehen vetëm me fitore.
Basha vijoi më tej duke thënë se opozita nuk do të kthehet në Parlament, pasi sipas tij është “parlamenti i krimit, ku janë ulur kriminelët dhe e kanë vendin ata që i sollën aty”.