Wednesday , 2 December 2020

BASHA: RAMA E META NDAJNE QEVERISJEN E KRIMIT…

Gjatë mitingut përmbyllës elektoral në Shkodër, kreu i opozitës Lulzim Basha teksa shpalosi planin ekonomik të Partisë Demokratike, u shpreh se Edi Rama dhe Ilir Meta flasin sikur të ishin bashkëkryetarë të opozitës. Sipas tij, në këto 4 vite, ata kanë qenë bashkëkryetarë të qeverisjes së krimit dhe korrupsionit

“Edi Rama dhe Ilir Meta po flasin sikur të ishin bashkëkryetarë të opozitës, por ishin bashkëkryetarë të qeverisjes së krimit dhe korrupsionit dhe të mashtrimeve. Nuk mbajti asnjë premtim Edi Rama, sepse prioritetet e tij nuk ishin prioritetet e njerëzve. Tash pas 4 vjetësh e pas 4 javës cirk e estradë tash del me premtime të tjera. Njeriu që premtoi shëndetësi falas, që mbushi xhepat e 5 oligarkëve me 550 milionë euro të taksave të shqiptarëve të varfëruar thotë më duhen edhe 4 vjet për shëndetësi falas. Nuk kanë fytyrë të dalin përpara Shkodrës. Njëri flet për krim e drogë, tjetri për tepsi, korrupsion dhe emërime korruptive, njëri për korrupsion e tendera e tjetrit për oligarkë, a thua nuk ishin këta që na qeverisën. A nuk ishin këta që sollën mijëra të zeza mbi Shqipërinë dhe larguan qindra e mijëra shqiptarë. ” 

Duke folur për timonin e qeverisjes, Basha tha se në Evropën demokratike askush nuk e ka timonin i vetëm, por shtoi se jo timoni, por duhet forcuar motori i ekonomisë, për të cilën premton taksa më të ulëta. “Opsionin për pushtetin tani e do vetëm. Jo timoni, por motori duhet rregulluar, motori është ekonomia e fortë pa të cilën nuk do të ketë të nesërme të sigurt. Sa për timonin kurrë nuk do të ketë timonin vetëm një politikan  në Shqipëri. Nuk funksionin kështu demokracia e re. E dini edhe ju që tashmë keni vizituar Evropën. E di edhe rinia, e cila nuk do të pranojë më kurrë zakonet e vjetra, timonin në duart e një politikani. Evropa është Evropë sepse timonin e ka çdo qytetar në duart e veta.”

Kreu demokratik u shpreh gjithashtu se ndryshime kanë ndodhur në Evropë dhe në Amerikë. “Evropa dhe Amerika i kanë sytë e shpresës tek Shqipëria. Bota po ndryshon, por jo Shqipëria këto 4 vite më parë, koalicioni i krimit, drogës, korrupsionit dhe mashtrimit zuri jetë këtu në Shkodër. Zgjodhi koalicioni i antivlerave të zinte embrionin këtu, në Shkodrën e virtytit për t’i bërë karshillëk shqiptarëve të ndershëm dhe për të hedhur hijen e saj të zezë 4 vite mbi Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.”

Basha tha gjithashtu se reformën në drejtësi askush nuk e ndal dot më, teksa shtoi se “institucionet e shtetit vetëm sa do të forcohen në Republikën e re”.

Lexoni dhe kete

MEDIU THIRRJE TE RINJVE

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u ka bërë thirrje të rinjve të bëhen pjesë …