Wednesday , 25 November 2020

BASKETBOLL FEMRA/ VLLAZNIA MUND KAMPIONET E FLAMURTARIT

Java e katërt e kampionatit kombëtar të basketbollit për femra ka dhuruar një rezultat surprizë. Vllaznia ka arritur të mundë ekipin kampion në fuqi të Shqipërisë, Flamurtarin e Vlorës. Në fund të takimit të luajtur pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, është vulosur rezultati 76 me 62 për vajzat shkodrane të cilat po tregojnë edhe njëherë tjetër se sivjet do kenë të tjera pretendime. Ndeshja ka nisur me vrull për vendaset të cilat nisin që në minutat e para të administrojnë lojën por edhe rezultatin. Përballë një ekip me shumë përvojë, në rradhët  e të cilit luanin edhe tre basketbolliste të huaja, vajzat shkodrane të drejtuara nga trajneri Bledar Gjeçaj, nuk janë hipnotizuar.

Përkundrazi, kanë vazhduar të bëjnë lojën e tyre dhe madje e kanë çuar diferencën e pikëve deri në 20. Flamurtari nga ana e tij u gjend mesa duket i papërgatitur nga një vrull i tillë i vendasve dhe me udhëzimet e vazhdueshme të trajnerit Toska, u mundua të reagonte. Shpeshherë çuditërisht duke u marrë edhe me arbitrat por kjo nuk e ndryshoi ritmin e lojës. Vllaznia vazhdoi ta administronte siç duhet avantazhin e krijuar derisa e mbylli ndeshjen me 14 pikë diferencë, pra me rezultatin 76 me 62. Në këtë mënyrë, me këtë fitore ekipi shkodran e ka lënë pas në renditje Flamurtarin. Vajzat shkodrane pozicionohen tashmë në vendin e tretë dhe duken brenda të gjitha objektivave për t’u renditur në mes katër ekipeve që do të luftojnë më pas në fazën e plej-ofit. Ardhja e Bledar Gjeçajt në krye të ekipit, duket se e ka transformuar tërësisht atë. Kombinimi i mirë i vajzave me përvojë me ato të rejat, po jep efektin e vet dhe kësisoj skuadra deri më tani ka arritur tre fitore në katër javë kampionat.

Lexoni dhe kete

BRDARIÇ: VLLAZNIA SYNON FITOREN EDHE ME TEUTËN

Festa e fitores ndaj Tiranës është lënë pas në kampin shkodran dhe të gjithë duken …