Saturday , 26 September 2020

BASKETBOLL/ IKËN BERDICA DHE DY TË TJERË NGA VLLAZNIA

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka startuar këtë fundjavë dhe Vllaznia ndeshjen e parë të saj do ta luajë pasditen e së dielës në “Qazim Dervishi” ndaj Goga Basket. Kur të gjithë prisnim një Vllaznia më të plotë sivjet, fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta. Vetëm pak ditë para kampionatit kanë ndodhur disa zhvillime të cilat e kanë dobësuar së tepërmi ekipin shkodran. Kështu, njëri nga trajnerët e ekipit, pikërisht Ervin Berdica, ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Por jo vetëm kaq. Ai nuk do të vazhdojë të luajë me Vllazninë as si lojtar, madje për të vazhduar karrierën e tij ka zgjedhur një ekip të kategorisë së parë si Invaders. Largimi i Berdicës nuk ka qenë i vetmi. Përveç tij janë larguar edhe dy basketbollistë të tjerë titullarë të ekipit shkodran. Bëhet fjalë për Herion Faslinë dhe Daniel Lekndreajn. I pari ka zgjedhur të luajë në këtë sezon me ekipin durrsak “Goga Basket” dhe për koinçidencë, të dielën do të jetë si kundërshtar në “Qazim Dervishi”. Ekipi i tij i ri ka shumë pretendime në kampionat sepse përveç Faslisë, ka marrë edhe dy amerikanë dhe lojtarë të tjerë me emër dhe kësisoj kjo duket se ka qenë arsyeja pse qendra shkodrane vendosi të lërë Vllazninë për të luajtur me të. Nga ana tjetër, edhe 20 vjeçari Daniel Lekndreaj nuk mundi t’i thoshte “jo” ofertës së Partizanit dhe për rrjedhojë është bashkuar me të tashmë. Me këto largime, kuqeblutë do ta kenë shumë të vështirë jo vetëm për t’u futur në katërshen e ekipeve më të mira por edhe për të qëndruar në kategori. Trajneri Fatjon Taraboshi do mundohet të bëjë maksimumin me lojtarët që ka në dispozicion por nuk mund të premtojë shumë gjëra me to. Dhe kjo do të shihet që në ndeshjen e parë të kampionatit.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA LUAN NESER MIQESOREN E RADHES

Vllaznia ka zyrtarizuar miqesoren e radhes. Keshtu, kuqeblute do luajne neser ndaj Bylisit. Takimi do …