Monday , 21 January 2019

BASKETBOLL MESHKUJ/ VLLAZNIA MUNDET NGA PARTIZANI

Faza e dytë e kampionatit është mbyllur me një tjetër disfatë për ekipin e basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, e nënta për të, çka vazhdon ta rendisë në vendin e fundit. Kuqeblutë e trajnerit Plantak pasditen e djeshme kanë luajtur në Tiranë ndaj Partizanit dhe janë mundur në shifrat 75-82. Ata vinin pas fitores javën e kaluar ndaj ekipit të Tiranës dhe morali ishte disi më i mirë, çka bënte të shpresohet për një tjetër fitore. Madje, për të mbështetur këtë ekip, kishin udhëtuar drejt kryeqyetetit edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh shkodranë, por që gjithsesi nuk kanë bërë efekt tek basketbollistët në fushë. Ato kanë humbur ndaj Partizanit, një humbje kjo që erdhi si pasojë e një loje jo të mirë, sidomos në 20 minutat e para të ndeshjes. Gjatë tyre, basketbollistët shkodranë kanë gabuar shumë, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje duke e çuar diferencën e pikëve deri në 20 në favor të të kuqve.

Vetëm në 10 minutat e fundit përmirësuan diçka në lojën e tyre megjithatë në momente të caktuara kur rezultati ngushtohej, vinin disa gabime që sërish e thellonin atë. Kuqeblutë kësisoj nuk kanë arritur të përmbysin rezultatin dhe në fund ka qenë Partizani që ka fituar me rezultatin 82 me 75. Përfundimisht, Vllaznia mbyll një fazë shumë negative me vetëm një fitore dhe nëntë humbje, çka ia kanë vështirësuar së tepërmi ecurinë e mëtejshme në kampionat.Patjetër që presidenti Xhaferi duhet të ndërhyjë sërish në merkato sepse me kontigjentin aktual do të jetë shumë e vështirë për të siguruar qëndrimin në kategori. Vërtetë ka sjellë në ekip tre lojtarë amerikanë megjithatë deri më tani ata nuk janë në lartësinë  e duhur.

Ndoshta duan edhe pak më shumë kohë në dispozicion për t’u përshtatur me basketbollin shqiptar por në fakt, Vllaznia nuk ka kohë për t’i pritur. Gjithsesi ndërprerja e kampionatit shpresohet që të shërbejë për mirë për këtë ekip.

Lexoni dhe kete

VELEÇIKU MË ENTUZIAST PAS PËRFORCIMEVE TË FUNDIT

Katër lojtarët e afruar së fundi duket se e kanë forcuar edhe më shumë ekipin …