BASKETBOLL TË RINJ, VLLAZNIA PRETENDON TITULLIN

Basketbolli në Sportklub Vllaznia këtë sezon duket se do të krenohet vetëm me suksesin e ekipeve të të rinjve. Pas titullit kampion të fituar dhjetë ditë më parë nga ekipi I të rejave, të njëjtën gjë do të tentojë të bëjë edhe ekipi I të rinjve. Ai ka hyrë në plej- of sepse është renditur në mes katër ekipeve më të mira të kampionatit që do të vazhdojnë më tej rrugën për fitimin e titullit kampion. Njëkohësisht, janë përcaktuar çiftet gjysmëfinaliste të kampionatit kombëtar të basketbollit për të rinj. Drejtuesit e Federatës kanë hedhur shortin e këtij turi dhe goglat kanë vënë përballë njëra- tjetrën Tiranën dhe Kamza Basket në çiftin e parë gjysmëfinalist. Ndërkohë, çifti i dytë është ai Vllaznia- Superior Klima.

Këto dy ndeshje do të luhen më datë 12 maj ndërkohë që një ditë më pas, pra më 13 maj, do të luhet finalja e këtij kampionati ku do të përballen fitueset e një dite më parë. Federata Shqiptare e Basketbollit ka caktuar sallën sportive të Kamzës për zhvillimin e këtyre ndeshjeve përfundimtare të këtij kampionati. Dikush parashikon se gjithçka është bërë për të favorizuar ekipin Kamza Basket për fitoren e titullit kampion megjithatë duhet pritur zhvillimi i ndeshjeve për të dhënë dhe verdiktet përfundimtare të këtij kampionati.

Edhe Vllaznia, skuadër e drejtuar nga Roland Koka dhe Fatjon Taraboshi ka objektiv fitimin e titullit dhe tashmë kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund do të tentojë të bëjë gjithçka. Megjithatë, fillimisht duhet kaluar Superior Klima në gjysmëfinale para se të mendojë për finalen. Kujtojmë këtu që ekipi shkodran është kampion në fuqi dhe padyshim që objektivi është për të mos e dorëzuar titullin.

 

Lexoni dhe kete

BOKS, VLLAZNIA SHPALLET KAMPIONE ME 16-VJEÇARËT

Boksi shkodran vazhdon të dominojë dhe të thotë fjalën e tij jo vetëm me të …