Friday , 17 September 2021

BASKETBOLL/ TEK VLLAZNIA “ANKAND” PËR TRAJNERIN E RI

Ka vetëm pak ditë që kanë mbyllur sezonin dhe kanë arritur objektivin për të qëndruar në Superligë, por tek Vllaznia e basketbollit të meshkujve puna nuk është ndalur për asnjë moment. Siç dihet, tashmë ekipi është pa trajner sepse u vendos mosrinovimi i kontratës me kroatin Plantak. Për këtë arsye, puna për sezonin e ri për presidentin Xhaferi dhe stafin e tij duket se ka nisur nga kjo pikë: gjetja e trajnerit të ri. Nga sa mësohet, edhe trajneri i ardhshëm do të jetë i huaj.

Nga emrat e parë që përfliten duket se kemi të bëjmë me trajnerë me shumë përvojë megjithatë ende nuk është e sigurtë nëse ndonjëri prej tyre do të jetë në Shkodër sezonin e ardhshëm apo jo. Kështu një kandidaturë e fortë mësohet se është slloveni Muharrem Vugdaliç i cili ka punuar në Irlandë, Spanjë apo dhe së fundi në Kosovë ku ka drejtuar ekipet e Pejës dhe të Bashkimit të Prizrenit. Një tjetër kandidaturë është ajo e një greku që në sezonin e fundit ka drejtuar Strumicen në Maqedoni. Nuk përjashtohet mundësia që trajneri i ardhshëm i kuqebluve të jetë edhe një amerikan. Bëhet fjalë për Kris Daleo që ka qenë edhe trajner i Kombëtares së Tailandës. Edhe nga Kosova po studiohet me shumë kujdes një kandidaturë.

Bëhet fjalë për Bujar Locin, trajnerin aktual të Rahovecit, i cili korri një sukses të paparë duke e dërguar ekipin deri në finalen e Superligës Kosovare dhe prandaj konsiderohet një kandidaturë shumë serioze. Këto katër janë aktualisht piketat e para të hedhura nga drejtuesit e Vllaznisë. Nga sa shikohet, presidenti Xhaferi mesa duket këtë herë nuk ka dëshirë të gabojë por të zgjedhë njeriun e duhur për të ndërtuar atë Vllazni që presin të gjithë. Gabimet e bëra në sezonin e fundit, por që për fat nuk çuan në dështimin total të sezonit, janë bërë mësim dhe për këtë arsye po punohet që këtë herë të jetë krejt ndryshe. Trajneri i duhur do të zgjedhë më pas edhe lojtarët e duhur dhe për rrjedhojë Vllaznia e sezonit të ri pritet të jetë pretendente serioze për fitimin e trofeve.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA – TEUTA, TË SHTUNËN NË ORA 19:45 NË “LORO BORIÇI”

Ekipi i Vllaznisë e ka lënë pas ndeshjen e fituar me Laçin në javën e …