Saturday , 20 April 2019

BASKETBOLL/ VLLAZNIA MBIJETON, BIE KAMZA

Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka realizuar atë që konsiderohej ndoshta e pamundur. Ka siguruar plej-autin e kampionatit dhe tashmë qëndrimi në Superligë thuajse është një formalitet, ndërkohë që Kamza ka siguruar rënien nga kategoria. Ky ka qenë verdikti i ndeshjeve të javës së fundit të kampionatit. Ekipi i Kamzës ndeshjen e fundit e ka luajtur në Durrës ndaj kryesueses së kampionatit, Goga Basket, ndaj të cilës ka humbur me rezultatin 93 me 104. Humbja e rivales kryesore të tyre, u ka shtuar edhe më shumë dëshirën kuqebluve për ta fituar ndeshjen ndaj Partizanit, të luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.

Vllaznia e nisi mirë ndeshjen dhe perioda e parë është fituar prej saj në shifrat 28-16. Një nisje e mbarë megjithatë me kalimin e minutave, të kuqtë kanë ardhur duke e ngushtuar diferencën dhe perioda e dytë do të mbyllej me rezultatin 48 me 46 po për Vllazninë. E njëjta situatë do ta shoqëronte këtë takim deri në fund dhe e gjithë koha e rregullt e këtij takimi do të mbyllej me shifrat 89 me 86 në favor të ekipit shkodran që kësisoj pozicionohet në vendin e pestë të renditjes ndërsa lë poshtë saj Kamzën që bie një kategori më poshtë. Vllaznia ndërkohë do të luajë dy ndeshje në plej- aut ndaj ekipit Invaders, por tashmë mbijetesa është thuajse çështje e mbyllur.

Një meritë të madhe në këtë gjë padyshim që kanë të gjithë pjestarët e ekipit dhe në veçanti presidenti Xhaferi për investimin e bërë, por pa lënë mënjanë mbështetjen që i kanë dhënë ekipit në ndeshjet e fundit edhe drejtuesit e mëparshëm të tij. Qëndrimi në Superligë padyshim që është një sukses për ekipin duke parë situatat në të cilat ai ka kaluar gjatë gjithë kampionatit. Njëkohësisht edhe një sinjal për ndërtimin e një skuadre krejt ndryshe për sezonin e ri ku padyshim që objektivi nuk duhet të jetë më mbijetesa. Megjithatë tashmë është koha për të bërë analizë. Presidenti Alban Xhaferi kuptohet që do të ketë nxjerrë shumë mësime nga sezoni i fundit dhe do marrë masat për të ndryshuar shumë gjëra.

Lexoni dhe kete

“ATLETIK KLUB” E “JUBAN DANJA” NISEN DREJT ROVERETTOS

5 ekipe moshash të “Atletik Klub Shkodra” dhe ai i femrave të “Juban Danja” janë …