BASKETBOLL/ VLLAZNIA NUK IA DEL NDAJ “GOGA BASKET”

Vllaznia e basketbollit të meshkujve është rikthyer sërish tek humbja ndonëse fitorja e një jave më parë ndaj Partizanit dha shpresat e një përmirësimi të gjendjes së ekipit. Megjithatë në takimin e rradhës, atë të luajtur në transfertë ndaj Goga Basket, basketbollistët shkodranë kanë qenë të pafuqishëm të reagojnë ndaj kryesuesve të kampionatit. Vetëm në periodën e parë janë mundur të rivalizojnë dhe ajo është mbyllur me rezultatin 28 me 20 për vendasit e më pas, gjithçka ka folur vetëm për ta. Perioda e dytë ka qenë shumë zhgënjyese për djemtë e drejtuar nga trajneri Plantak. Në 10 minutat e saj, ato kanë shënuar vetëm 9 pikë përballë 31 të kundërshtarit dhe që këtu u pa qartë se Vllaznia nuk do të mund të bënte asgjë për të fituar këtë takim.

Dy periodat e tjera deri në fund të takimit pastaj janë shoqëruar me një luftë jo të fortë sportive dhe për rrjedhojë Goga Basket e ka ruajtur avantazhin. Ajo e ka mbyllur periodën e tretë në shifrat 74-48 dhe krejt ndeshjen 106-77. Në këtë mënyrë, ekipi shkodran ka rregjistruar një tjetër humbje në kampionat por ndërkohë një lajm i mirë për të është ai se edhe rivali i saj kryesor- Kamza, ka humbur edhe ai këtë javë ndaj Tiranës. Kësisoj të dy ekipet ndodhen sërish me pikë të barabarta duke ndarë vendin e fundit të parafundit të renditjes.

Javën e ardhshme Vllaznia do të presë në Shkodër Teutën por padyshim që mendjen e ka tek sfida direkte që do të luajë pas dy javësh në Kamëz ndaj skuadrës vendase. Një përballje që do të përcaktojë edhe dilemën ndoshta më të rëndësishme të këtij sezoni, atë se cila skuadër do të bjerë nga kategoria.

Lexoni dhe kete

DREJTORI FIRAT DREJT LARGIMIT NGA VLLAZNIA

Këto ditë të nxehta qershori duhej të ishin shumë të ngarkuar për drejtuesit e Vllaznisë, …