Pas 7 humbjesh rradhazi, Vllaznia e basketbollit të meshkujve rigjen fitoren. Dhe ajo që është më interesantja ka të bëjë me faktin se ndryshimet e fundit që kanë shoqëruar këtë ekip, kanë sjellë edhe suksesin e parë pas shumë kohësh.
Në sfidën e vlefshme për Kupën e Shqipërisë ndaj Partizanit, e cila është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, basketbollistët shkodranë kanë fituar me rezultatin 74 me 66.
Pjesa e parë e saj në fakt ka qenë jo e mirë për Vllazninë, e cila në të dytën përmirësoi shumë gjëra në lojën e saj dhe si rrjedhojë erdhi edhe fitorja e saj, fitore që e kualifikon atë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Për trajnerin Bledar Gjeçaj ka qenë një sfidë shumë e vështirë, por që u zgjidh në mënyrën e duhur…
Me fitoren ndaj Partizanit, Vllaznia është kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku do të ndeshet javën e ardhshme me Teutën e Durrësit. Por para kësaj sfide, shkodranët do të luajnë të martën në Suharekë të Kosovës ndeshjen e rradhës të Ligës Unike.