BASKETBOLL/ VLLAZNIA TË SHTUNËN NDAJ “GOGA BASKET”

Pavarësisht fitores së arritur javën e kaluar ndaj Partizanit, Vllaznia e basketbollit të meshkujve ende nuk ka arritur asgjë sa i takon objektivit të saj për t’iu shkëputur vendit të fundit në tabelën e renditjes. Ajo ndodhet me pikë të barabarta me Kamzën por nuk ka një kalendar të favorshëm në fazën e fundit të kampionatit. Ndër 5 ndeshjet që kanë mbetur për t’u luajtur deri në fund, ekipi shkodran do të luajë tre herë në transfertë dhe dy herë në Shkodër. Kështu, ai do ta nisë nga kjo e shtunë kur do të udhëtojë drejt Durrësit për të luajtur me “Goga Basket” në orën 17.00 e më pas do të presë javën e ardhshme në Shkodër Teutën, më pas do të udhëtojë drejt Kamzës në javën e tretë.

Dy ndeshjet e fundit të kampionatit ndërkohë do t’i luajë fillimisht në Shkodër me ekipin e Tiranës dhe do ta mbyllë me Partizanin në kryeqytet. Kuptohet qartë se gjërat duken shumë të vështira, për më tepër që takimin ndaj rivalit direkt nuk do ta luajë në Shkodër por në fushën shumë të vështirë të Kamzës. Megjithatë trajneri Plantak, basketbollistët dhe drejtuesit e ekipit janë të vendosur për të provuar deri në fund. Ata do ta nisin që këtë javë ndaj Gogës për të tentuar mrekullinë sepse nuk mund t’ia lënë gjërat fundit të kampionatit.

Po ashtu, nuk mund ta lënë fatin e Vllaznisë as në dorën e kryesisë së Federatës e cila po diskuton ndoshta rritjen e numrit të skuadrave sezonin e ardhshëm dhe kjo do të thotë se asnjë ekip nuk do të bjerë sivjet nga kategoria, por për sezonin e ri do të shtohen edhe dy të tjera. Kuqeblutë duhet të bëjnë kampionatin e tyre, duhet të fitojnë qëndrimin në Superligë përmes garës dhe nëse do e arrijnë këtë, do të ishte diçka shumë e mirë, përpara nisjes së një projekti ndryshe për sezonin e ardhshëm.

Lexoni dhe kete

LIKA: FITIMI I KUPËS S’KISHTE RËNDËSI, OBJEKTIVIN E ARRITËM

Zhgënjim në rradhët e tifozëve shkodranë për humbjen e Vllaznisë në finalen ndaj Bylisit dhe …