Wednesday , 1 April 2020

BASKETBOLL/ VLLAZNIA- TEUTA TË DIELËN NË ORA 18.00

Ndryshe nga javët e tjera kur Vllaznia e basketbollit të meshkujve i ka luajtur ndeshjet kryesisht të shtunave, këtë herë ajo do të luajë ditën e dielë. Ka ndodhur kështu për shkak të ngjeshjes së kalendarit si rrjedhojë edhe e ndeshjeve të Ligës Ballkanike. Prandaj dhe sfida e rradhës për kampionatit, ajo ndaj Teutës së Durrësit do të luhet këtë herë të dielën në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Një takim që pritet me shumë interes dhe jo më kot pallati i sportit pritet të jetë i mbushur në kapacitetin e tij të plotë. Durrsakët do të vijnë në Shkodër me stofin e ekipit kryesues të kampionatit dhe padyshim që do të tentojnë fitoren, ashtu siç bënë edhe javën e kaluar kur mundën një tjetër rival direkt si Goga Basket.

Por në fakt, edhe Vllaznia ka objektiv fitoren. Nëse në Ligën Ballkanike i lejohen hapat e gabuar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kampionatin. Ecuria e deritanishme në fakt ka qenë me oshilacione dhe këtë e tregon më së miri fakti që skuadra ka pësuar 3 humbje, por ndryshimi i trajnerit ka sjellë një klimë disi më ndryshe në rradhët e basketbollistëve. Trajneri i sapoardhur Ivankoviç u ka dhënë besim të gjithëve dhe prandaj pritet që secili prej tyre të japë maksimumin për ta mundur Teutën.

Shpresohet që këtë herë të jetë i gatshëm edhe amerikani Perine që nuk luajti në mesjavë në Rozhajë ndeshjen ndaj Ibarit. Ai është një pikë e rëndësishme për Vllazninë e cila gjithsesi është e vendosur për ta fituar këtë takim dhe për të forcuar pozitat në vendin e dytë të renditjes. Padyshim që edhe mbështetja e tifozëve shkodranë do të jetë një element më shumë në këtë drejtim, por mbi të gjitha detyrën kryesore e kanë basketbollistët në fushë. Nëse ata japin maksimumin, atëherë mund të fitojnë jo vetëm ndaj Teutës por ndaj çdo kundërshtari.

Lexoni dhe kete

FSHF U PROPOZON KLUBEVE 3 VARIANTE PËR KAMPIONATIN

Ndërprerja e kampionatit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, u ka krijuar një …