BASKETBOLLISTËT E RINJ TË VLLAZNISË FITOJNË ME ELBASANIN

Ekipi i basketbollit të të rinjve të Vllaznisë ka arritur të fitojë edhe ndeshjen e rradhës për kampionat, atë ndaj Elbasanit, madje me rezultat të thellë. Në fazën e parë në Elbasan ekipi shkodran ishte mundur nga skuadra vendase. Ka qenë një nga dy humbjet e vetme të saj deri më tani në kampionat. Pikërisht për këtë arsye, takimi i djeshëm i luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” është vlerësuar maksimalisht nga basketbollistët e rinj shkodranë. Dhe në fakt, ata e kanë treguar edhe në fushën e lojës se fitorja nuk do ishte asnjë problem për ta.

E tregon këtë gjë edhe rezultati i arritur në fund të takimit, 89-35. Pra, me 54 pikë diferencë. I gjithë takimi, nga fillimi  e deri në fund, është dominuar nga djemtë e drejtuar nga trajneri Roland Koka të cilët ishin të vendosur për ta fituar me çdo kusht këtë takim. Madje edhe atëherë kur kjo u duk plotësisht e arritshme, ata nuk e ndalën për asnjëherë vrullin, madje me dëshirën e madhe për të arritur një fitore sa më të thellë. Me fitoren e djeshme, Vllaznia U-18 tregoi edhe njëherë se ndodhet në rrugën e duhur për mbrojtjen e titullit kampion. Megjithatë deri në fund ka ende edhe shumë rrugë për të bërë.

Edhe shumë sfida për t’u fituar. Gara kryesore për momentin duket e fokusuar vetëm me Tiranën megjithatë në plej- of mund të ketë edhe ekipe të tjera që do të tentojnë ta fitojnë këtë trofe. Ekipi shkodran në gjithë këto vitet e fundit ka qenë lider me këtë grupmoshë dhe këtë e tregojnë më së miri 6 titujt kampionë të fituar në 10 sezone. Sivjet mund të jetë ndoshta edhe i shtati që mund të merret sepse grupi i lojtarëve është i mirë por gjithsesi duhet ende punë.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA NË PRAG TË NJË REFORME, SKUADRA DO RINOVOHET

Tek Vllaznia ka nisur të flitet prej ditësh për largime futbollistësh. Pas Kalajës edhe Çinarit …