Thursday , 5 December 2019

BEHAR RAMADANI I DËMTUAR, NUK UDHËTON DREJT OHRIT

Ekipi i Vllaznisë që prej ditës së djeshme ndodhet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, aty ku është duke zhvilluar fazën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri. Por me të nuk ka udhëtuar mesfushori Behar Ramadani. Njëra nga blerjet më të rëndësishme të kuqebluve në merkaton e kësaj vere, mësohet se ka ndjerë shqetësime në gjurin e tij të djathtë dhe për këtë arsye, ka qëndruar në Shkodër për të bërë ekzaminimet e duhura. Pas konsultës paraprake, thuhet se do të qëndrojë afro një muaj e gjysmë jashtë. Dhe, logjikisht, humbet startin e kampionatit.

Gjithsesi, lojtari nuk do ta lërë me kaq, pasi do të bëjë edhe disa kontrolle më të specializuara për të zbuluar shkallën e dëmtimit, duke shpresuar që rikuperimi të jetë më i shpejtë. Ramadani e priti me shumë optimizëm rikthimin te Vllaznia, por fati nuk ishte në krahun e tij. Një situatë të tillë lojtari e kaloi edhe para gjashtë vitesh, e megjithatë gjeti forcat që të rimëkëmbej dhe të shkëlqente me Luftëtarin. Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz e ka konsideruar një pikë të rëndësishme të formacionit të tij dhe prandaj ky dëmtim padyshim që i ka prishur jo pak plane.

Megjithatë edhe me Bardullën që tashmë është pjesë e ekipit apo dhe me lojtarë të tjerë do të mundohet ta rikuperojë mungesën e Ramadanit gjatë kësaj periudhe. Nga ana tjetër, drejtuesit kuqeblu janë duke intensifikuar përpjekjet për të gjetur sulmues cilësor dhe deri në fund të javës pritet që me ekipin të bashkohen edhe dy lojtarë të këtij reparti. Me to, mbase merkatoja mund të konsiderohet e mbyllur por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë afrim tjetër, teksa flitet edhe për një portier të tretë apo dhe një mesfushor fantazist.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA MUND 3 – 2 PRISHTINËN NË KUPËN E 100 VJETORIT

“Viti I Vllaznisë” ka vijuar me një tjetër aktivitet të organizuar nga Bashkia Shkodër me …