Sunday , 29 November 2020

BOJKOTI DREJT FUNDIT, KAMPIONATI NIS KËTË JAVË

Pas 40 ditësh pauze, futbolli shqiptar mund të fillojë sërish të luhet. Bojkoti i kampionatit nga ekipet e Kategorisë Superiore mund të marrë fund pas premtimeve të bëra nga kryeministri Rama për plotësimin e kërkesave të tyre.

Për rrjedhojë ky kampionat pritet të nisë brenda kësaj jave dhe bashkë me të edhe të gjithë kampionatet e tjera të futbollit shqiptar. Me shumë vonesë por sporti më i preferuar i të gjithëve, mund të kthehet në normalitet. Çdo gjë do të vendoset në takimin që presidentët e klubeve do të kenë ditën e hënë ku do të dilet me një qëndrim zyrtar në lidhje me të ardhmen e futbollit shqiptar.

Te Vllaznia në fakt janë mërzitur nga pritja e gjatë dhe kjo i ka bërë futbollistët dhe stafin teknik të kalojnë në stres. Pikërisht për këtë arsye, kryebashkiakja Ademi dhe sponsori Xhaferi i kanë bërë një vizitë skuadrës në stërvitjen e së shtunës duke i ofruar mbështetje.

Megjithatë përmes trajnerit Brdariç, skuadra ka shprehur shqetësimi se nëse kampionati nuk fillon edhe javën tjetër, do të jetë e vështirë për të ruajtur të njëjtin ritëm dhe përqendrim. Nga ana tjetër, kryebashkiakja Ademi dhe sponsori Xhaferi mësohet se kanë shprehur mbështetjen e plotë për përmbushjen e të gjithë detyrimeve të tyre dhe kanë premtuar që të bëjnë të gjitha lëvizjet e duhura për të nxitur në mënyrë pozitive fillimin e ndeshjeve zyrtare.

Megjithatë, çdo gjë do të vendoset të hënën në takimin e drejtuesve të lartë të klubeve. Zgjatja e mëtejshme e bojkotit duket e pakuptimtë dhe tashmë pritet vetëm vendimi për fillimin e ndeshjeve.

Dilema e vetme është ajo se kur do të startojnë ato, të mërkurën apo të shtunën e ardhshme.

Lexoni dhe kete

TË PREMTEN NË “LORO BORIÇI”, SHQIPËRI – QIPRO

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra do të luajë të premten në stadiumin “Loro …