Thursday , 23 August 2018

BOKSIERJA ELSIDITA SELAJ PJESEMARRËSE NË BOTËROR

Boksierja shkodrane Elsidita Selaj do të marrë pjesë në një tjetër aktivitet shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, pikërisht në Kampionatin Botëror të 18 vjeçareve që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë. Në këtë mënyrë, pas suksesit të arritur pak muaj më parë në Kampionatin Europian që u zhvillua në Itali dhe ku zuri vendin e dytë duke u shpallur nënkampione e kontinentit, ajo do të tentojë të bëjë një paraqitje tjetër të mirë. Në garat që do të zhvillohen në kryeqytetin hungarez, ajo do të jetë e shoqëruar nga trajneri i saj Jetmir Kuçi. Normalisht, që forma e saj duket shumë e mirë sepse gjatë dy muajve të fundit, janë stërvitur intensivisht.

Në këtë Botëror, Elsidita Selaj ka si objektiv një paraqitje sa më të mirë dhe kuptohet se futja në zonën e medaljeve do të jetë diçka shumë e mirë megjithatë ajo do të tentojë deri në fund. Trajneri Kuçi para nisjes për në Hungari është shprehur entuziast për një paraqitje të mirë të sportistes së tij. Kemi të bëjmë me një boksiere e cila premton shumë për të ardhmen. Vendi i dytë në Kampionatin Europian ka qenë vërtetë një surprizë e këndshme për të gjithë sportdashësit por jo për të dhe trajnerin e saj. Puna me ritme të larta që ato të dy kanë zhvilluar gjatë gjithë këtyre viteve, tashmë ka filluar të japë frutet e veta. Vetë pjesmarrja në Kampionatin Botëror është diçka për t’u vlerësuar sepse kjo nuk ka ardhur si rrjedhojë e ndonjë ftese por e ka fituar këtë të drejtë nga suksesi i Europianit.

Selaj do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Lojërat Olimpike Rinore dhe këto evenimente do t’i shërbejnë asaj për një rritje profesionale dhe me shumë të ngjarë prej kësaj sportisteje nuk do të na mungojë sukseset as në të ardhmen.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA, DREJTORI FIRAT PREZANTOHET TË MËRKURËN

Pavarësisht zhurmës së krijuar rreth drejtorit sportiv të Vllaznisë, turkut Engin Firat, në klubin shkodran …