Friday , 22 October 2021

BRDARIÇ: ME TEUTËN KEMI DISA GJËRA PEZULL

Sfida e shumëpritur me Teutën është në prag dhe në Shkodër mezi e presin. Në veçanti tifozët, të cilët mendojnë se me durrsakët ka shumë gjëra për të cilat “duhen marrë hak”.

Por nga ana tjetër, edhe vetë trajneri Thomas Brdariç në konferencën e shtypit të pragndeshjes është thuajse i të njëjtit mendim teksa është shprehur se Vllaznisë ende i dhemb ajo humbje në finalen e Superkupës ndaj kësaj skuadre…

Përkthimi: “Mezi po e presim këtë ndeshje, jemi gati të gjithë. Jemi të inkurajuar që të japim kontributin tonë. E rëndësishme është të kemi mbështetje nga tifozët dhe duhet të jemi një ekip. Të jemi gati në çdo mënyrë të mundshme. Nesër do jetë ndeshje e rëndësishme sepse do luajmë me Teutën, pasi me ata kemi disa gjëra pezull.

Të mos flasim shumë, pasi jemi të përqëndruar. Kemi vetbesim sepse kemi dëshirë për tri pikë, duhet të jemi më konkret dhe cinikë në sulm. Përvoja e të kaluarës në Superkupë dhemb dhe duhet të mësojmë nga këto.

Mendoj se duhet të përmirësohemi në mbrojtje, por të gjithë e kanë marrë vesh tashmë se kjo Vllazni është sulmuese, sepse në fakt kështu e pëlqejnë edhe tifozët e saj”.

Bashkë me trajnerin Brdariç në konferencën e sotme për shtyp ka qenë edhe sulmuesi kroat Ante Aralica. Lojtari i ndeshjes me Laçin, ka premtuar se skuadra do të bëjë mirë edhe ndaj Teutës, me qëllimin e vetëm për ta fituar edhe këtë sfidë…

Përkthimi: “Sigurisht që jemi të kënaqur me startin që bëmë ndaj Laçit dhe ashtu si tha trajneri, fokusi ynë është i përqendruar ndeshje pas ndeshjet. Që do të thotë se tani jemi të fokusuar maksimalisht tek sfida me Teutën dhe do të synojmë të marrim fitoren e rradhës nëse është e mundur.

Unë nuk premtoj se sa gola do të shënoj, por premtoj se do të punoj fort dhe në fund do të jetë trajneri ai që do të vendosë për gjithçka. Atmosfera në skuadër pas fitores me Laçin është shumë e mirë.

Sa i takon konkurrencës, secilli kërkon të marr sa më shumë minuta që të jetë e mundur, por në fund të ditës i takon trajnerit cili do të luajë dhe cili jo. Ne në çdo ndeshje shkojmë për tre pikë dhe nuk na intereson se kush luan”.

Ndeshja Vllaznia- Teuta do të luhet të shtunën në ora 19.45 dhe në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” pritet të jenë rreth 5 mijë tifozë shkodranë të cilët do të mbështesin kuqeblutë në këtë përballje ndaj kampionëve në fuqi të vendit.

Lexoni dhe kete

BRDARIÇ: VLLAZNIA NDAJ DINAMOS VETËM PËR FITORE

Pas ndeshjeve të kombëtares, Superliga shqiptare rikthehet të luajë ndeshjet e javës së 5-të të …