Saturday , 24 October 2020

BRUNO KOLA FITON ETAPËN E DYTË TË KUPËS “MISHEL CICO”

Çiklistët e Vllaznisë kanë bërë një tjetër paraqitje të mirë edhe në etapën e dytë të kupës “Mishel Cico” që po zhvillohet në qytetin e Korçës nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti. Nga tre vendet e podiumit të kësaj etape, dy prej tyre janë zënë pikërisht prej tyre teksa Bruno Kola është shpallur fitues i saj ndërsa Astrit Kronaj ka zënë vendin e tretë. Itinerari i kësaj etape të dytë ka qenë Korçë- Podgorije – Korçë, e gjatë 63 km. Ajo është shoqëruar nga një ritëm i kënaqshëm ku gjatë gjithë kohës, kanë qenë shkodranët ata që ishin në krye të grupit.

Të tetë sportistët e Vllaznisë pjesmarrës në këtë garë, kanë dhënë kontributin e tyre për të dominuar mbi pjesën tjetër të sportistëve të ekipeve të tjera. Gjatë rrugës ka patur edhe ndonjë tentativë për shkëputje të Kolës së Vllaznisë dhe Gogës së Apolonisë, por ata janë kapur nga grupi dhe të gjithë sëbashku kanë pedalur deri në mbërritje. Në sprintin e fundit ka qenë Bruno Kola që është shkëputur nga të tjerët dhe është shpallur fitues i kësaj etape duke lënë në vend të dytë Amarildo Gogën e Apolonisë dhe në të tretin Astrit Kronajn po të Vllaznisë. Ndërkohë që pas tij, kanë qenë sërish katër sportistë të tjerë të ekipit shkodran, Alfons Rrashkadoli, Sion Gjoka, Kledison Cani dhe Gjergj Zefi. Natyrisht që nuk mund të lihet pa përmendur edhe paraqitja shumë e mirë që po bëjnë dy çiklistët 15 vjeçarë Defrim Dholla dhe Samuel Bajrami të cilët ndonëse kanë vetëm pak kohë që janë pjesë e ekipit të Vllaznisë, po paraqiten mjaft mirë duke treguar se kanë elementë që premtojnë për të ardhmen.

Pas përfundimit  të kësaj etape është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të diplomave dhe e kupës për fituesin e vendit të pare Bruno Kolën, të cilët janë dorëzuar nga familjarët e Mishel Cicos, kampionit të madh korçar për të cilin po organizohet kjo kupë. Kjo kupë do të mbyllet me etapën e tretë dhe të fundit, atë me itinerar Korçë- Pusec- Korçë, e gjatë 80 kilometra ku pritet sërish dominim I çiklistëve të Vllaznisë.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA FEMRA MËSON TË ENJTËN KUNDËRSHTARIN E “CHAMPIONS”

Kampionia e Shqipërisë në futboll për femra, Vllaznia e Shkodrës, do të mësojë mesditën e …