“CEREMONIA E 10 SPORTISTËVE” DO ZHVILLOHET NË JANAR

Ndryshe nga dy vitet e kaluara, “10 sportistët më të mirë të klubit Vllaznia për vitin 2017” nuk do të shpallen brenda muajit dhjetor. Në dy vitet e mëparshme ato janë shpallur pikërisht në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak por sivjet nuk ndodhi kjo dhe mbledhja e fundit e tij nuk ka patur një detaj të tillë. Arsyeja nga sa mësohet është se zyra e sportit pranë Bashkisë Shkodër ka menduar një mënyrë tjetër të shpalljes së tyre sivjet dhe kjo do të ndodhë në ditët e para të muajit janar të vitit që vjen. Kjo shtyrje ka ardhur ngaqë bashkë me ceremoninë e shpalljes së sportistëve dhe trajnerëve më të mirë të vitit, në të njëjtën ditë do të bëhet edhe prezantimi i numrit të parë të revistës “Vllaznia”, që është edhe risia e këtij institucioni për këtë vit.

Por jo vetëm kaq. Burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë të ditur se bashkë me këto dy evenimente, do të shtohet edhe një tjetër. Pikërisht ai i dekorimit të gjashtë personaliteteve të sportit shkodran në vite. Këta të fundit, janë nderuar dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. Bëhet fjalë për volejbollistët Çiljeta Toska e Gjino Mjeda, për futbollistin Selami Dani, për basketbollistin Refik Vorfa, për çiklistin Brahim Syka dhe për mundësin Alfred Bardeli. Në këtë festa e fillim-janarit do të marrë një formë edhe më të plotë dhe do të jetë një festë e vërtetë sportive. Shkodra në fakt është ndër të paktët qytete që i ka ruajtur tradita e shpalljes së sportistëve më të mirë të vitit dhe po ashtu, edhe nderimi i figurave sportive asnjëherë nuk është lënë pas dore. Sigurisht që ky qytet i ka të shumta figurat e shquara dhe vërtetë së fundmi janë nderuar gjashtë ish- kampionë, por janë edhe shumë të tjerë që mbase presin këtë gjë.

Lexoni dhe kete

“VLLAZNIA B” TË SHTUNËN NË BURREL. I MJAFTON BARAZIMI

Pas fitores ndaj Tërbunit javën që shkoi, “Vllaznia B” ka hedhur hapin e parë drejt …