Saturday , 24 October 2020

CUNGU: E PAFALSHME, NUK DIMË TË SHËNOJMË DHE FALIM GOLA

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, është shfaqur mjaft i zhgënjyer pas humbjes kundër Laçit. Një paraqitje jo e keqe, ose më saktë shumë e mirë sipas Cungut, por shënimi i golit dhe gabimet në mbrojtje janë probleme madhore për Vllazninë.

“Nuk jam dakord që Laçi dominoi, por është çështje perceptimi. Po vuajmë për të çuar topin në rrjetë, kjo u pa edhe në Gjirokastër, edhe sot. Dominuam në pjesën e parë, pastaj pësuam gol aksidental, me mbrojtjen që ishte e vendosur krejtësisht gabim. Mbrojtësit duhej të zbrisnin, por në të kundërt u larguan, duke gabuar, diçka e pafalshme për futbollistë profesionistë. Në pjesën e dytë e nisëm mirë, krijuam lojë e rreziqe, por sërish bëmë një gabim fatal dhe të pakuptueshëm, nuk arrij ta kuptoj sinqerisht. Pas 2-0 ishte e kotë, nuk kishim më kohë dhe forcë mendore për të reaguar. Më vjen shumë keq, sepse pas pikës me vlerë në Gjirokastër, isha i kënaqur me lojën, ndërsa sot jam shumë i mërzitur sepse sërish nuk bëmë kryesoren, të shënonim. Nëse nuk e çon topin në rrjetë, gjithçka është e kotë.

“Mungesa e njeriut gol është problem i madh, e pranoj, por nuk duhet të harrojmë që e gjithë skuadra gaboi në fazën sulmuese dhe mund të bëhej më shumë. Nuk duhet pritur gjithçka nga lojtari i sulmit, sot bëmë gabime në shumë drejtime, goli mund të dilte në mënyra të tjera.

“Forma fizike? Mund të kesh cilësi sa të duash, por nëse nuk je mirë fizikisht, është e kotë. Jemi përforcuar në verë, por disa lojtarë nuk janë në formën optimale dhe faza përgatitore ka qenë e mbushur me probleme. Pres më shumë nga lojtarët e afruar në verë, por duhet kohë.

“Vazhdimësia? Shorti është shumë i vështirë, do të kemi shumë probleme. Duhet një kontingjent i plotë dhe duhet shumë seriozitet, duke nisur që nga lart e deri te sportistët, të cilët duhet ta marrin me më shumë seriozitet punën që kanë marrë përsipër. Nuk duhet të marrim përsipër gjëra të mëdha, por të bëjmë gjërat e vogla në fushë. Nuk duhet të presim asgjë nga askush, por të varemi vetëm nga këmbët tona. Tani duhet të mendojmë për Flamurtarin, skuadër shumë cilësore që ka bërë shumë ndryshime, ndaj do të jetë e vështirë.

“Kur do arrijë Vllaznia 100%? Nuk jam rrobaqepës, që të mat saktë formën e secilit lojtar, se kur do ta arrijë maksimumin. Për mua rëndësi ka që skuadra të japë maksimumin, të jetë më e saktë dhe të ndihmojmë më shumë edhe sulmin, sepse realisht Ribaj ka qenë i izoluar edhe sot dhe nuk mund të bëjë asgjë me një apo dy topa për ndeshje. Ribaj ka qenë në pozicion të shkëlqyera në disa situata, por nuk është pasuar nga Bardulla, më pas në dy raste nga Lika, po ashtu as nga Çinari. Mjafton kaq për të kuptuar se me këto 3-4 raste mund të kishim shënuar të paktën një herë dhe gjithçka do të ndryshonte”.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA FEMRA MËSON TË ENJTËN KUNDËRSHTARIN E “CHAMPIONS”

Kampionia e Shqipërisë në futboll për femra, Vllaznia e Shkodrës, do të mësojë mesditën e …