Breaking News

ELSIDITA SELAJ SIGURON MEDALJEN E BRONZTË NË EUROPIAN

Boksierja shkodrane Elsidita Selaj vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare. Pas medaljes së argjendtë të fituar vitin e kaluar në Kampionatin Europian U18 që u zhvillua në Itali, ajo pasditen e së martës ka arritur të sigurojë medaljen e bronztë në Kampionatin Europian U22. Por kjo e bronzta mund të jetë medalja e momentit sepse Selaj mund të shkojë edhe më tej për të fituar të argjendtën dhe pse jo edhe të artën, ndonëse duket shumë e vështirë. Megjithatë Elsidita bashkë me trajnerin e saj Jetmir Kuçi vazhdojnë të na befasojnë. Në Europianin që është duke u zhvilluar në Rusi, ajo është ndeshur në raundin e parë të tij me një kundërshtare nga Bjellorusia.

Boksierja e kombëtares shqiptare e ka dominuar ndeshjen dhe në raundin e dytë e ka detyruar kundërshtaren e saj të tërhiqet nga ringu pas tre nokauteve që i ka shkaktuar asaj. Një fitore e tillë me tërheqje të kundërshtares ia rrit edhe më shumë vlerën kësaj fitoreje të sportistes shkodrane. Trajneri i saj Jetmir Kuçi në një prononcim të shkurtër për televizionin Rozafa nga Rusia, është shprehur i lumtur për arritjen e boksieres që ai stërvit dhe që tashmë nuk është më një çudi por një realitet mëse i prekshëm, sepse për një periudhë kohore njëvjeçare i sjell Shqipërisë dy medalje. Me këtë sukses, Selaj ka siguruar medaljen e bronztë deri më tani në këtë aktivitet të rëndëssihëm.

Kalendari i mëtejshëm i Europianit do ta përballë Elsidita Selajn me një boksiere nga Rusia. Edhe në rast humbje, boksierja shkodrane e ka siguruar tashmë medaljen e bronztë dhe padyshim që ky është një sukses i madh.Megjithatë ajo e ka ndër mend të pretendojë të shkojë më larg dhe padyshim që kemi të bëjmë me një 18 vjeçare shumë të talentuar e cila po shkruan historinë e boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Lexoni dhe kete

EDHE E HËNA E GJEN VLLAZNINË PA TRAJNER

Dita e hënë pritej të kishte zhvillime tek Vllaznia sa i takon çështjes së trajnerit …