Wednesday , 18 September 2019

FINALJA VLLAZNIA – BYLIS LUHET TË ENJTEN NË DURRËS

Finalja e kategorisë së parë, ajo në mes dy ekipeve më të mira të grupeve A dhe B, respektivisht Vllaznisë dhe Bylisit, do të luhet ditën e enjte në orën 16.00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Kështu ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit e cila do të japë në përfundim të këtij takimi edhe kupën për ekipin kampion të kësaj kategorie.

Shkodranët në fakt kanë kohë që përgatiten për këtë takim ngaqë ngjitjen në Superiore kishin javë që e kishin siguruar. Stafi teknik është munduar që gjatë kësaj periudhe të mbajë në tonus të gjithë lojtarët dhe jo më kot i ka aktivizuar edhe në ndeshjet e zhvilluara dhe shpresat janë që t’ia dalin me sukses. Futbollistët e Vllaznisë e kanë shprehur edhe në prononcimet e tyre se e kanë të qartë objektivin për ta marrë këtë kupë por edhe shumën prej 30 milionë lekësh të vjetra që Federata akordon për ekipin kampion. Një shumë që do t’i shërbente jo pak klubit shkodran për vazhdimësinë e tij.

Megjithatë nuk do të jetë e lehtë për ta fituar këtë ndeshje. Bylis ka bërë një kampionat shumë të mirë dhe padyshim që do të ketë edhe ai shumë ambicje për të triufuar ndërkohë që me shumë të ngjarë, do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve të vet në “Niko Dovana”. E kundërta mund të thuhet për tifozët shkodranë që duket se nuk do kenë ndonjë organizim për të qenë në stadium të enjten.

Nga ana tjetër, Vllaznia pritet të mos jetë e plotë në këtë takim sepse ka edhe disa mungesa për arsye dëmtimesh, megjithatë këto nuk janë justifikime. Kjo finale duhet fituar nga ana e saj me çdo kusht dhe për më tepër, për të çuar në vend dinjitetin e humbur një sezon më parë më rënien një kategori më poshtë.

Lexoni dhe kete

BASKETBOLL/ VLLAZNIA FIRMOS ME RAKAJN E MEMÇAJN

Vllaznia e basketbollit të meshkujve nuk është përqendendruar vetëm tek blerja e lojtarëve të huaj …