Tuesday , 19 November 2019

FITER BAJRAMI, URIMI I MYFTINISE SHKODER

Myftinia Shkodër ka përcjellur urimin e saj me rastin e festës së Fitër Bajramit. Në urimin e shpërndarë për mediat, myftiu Imam Muhamed Sytari nga vendi i shenjtë i Medinës, shkruan:

“Ky muaj, në të cilin të gjithë ne u munduam në një mënyrë a një tjetër, të përkushtohemi maksimalisht për t’i dëshmuar All-llahut të Madhëruar, më të mirën nga vetja e jonë. Ky muaj, në të cilin u angazhuam për të respektuar faljen e namazit, për të respektuar agjërimin, për të respektuar kufijtë e hallallit dhe të haramit, për të respektuar lidhjet farefisnore, për të respektuar forcimin e marrëdhënieve brenda familjes sonë, për të respektuar mexhliset e Kur’anit, për të respektuar tubimet e dijes, për të respektuar ndihmën ndaj të varfërve, jetimëve, skamnorëve, të sëmurëve, të pastrehëve, që sa të shumtë janë sot në realitetet shqiptare. Prandaj lutem me zemër, që All-llahu i Madhëruar të na begatojë, të na pranojë dhe, këto adhurime të na shërbejnë si një mundësi e mirë për t’i dëshmuar Zotit, vetes dhe njëri-tjetrit, aftësinë edhe mundësinë për të bërë përherë më të mirën në jetën tonë të përkohshme të kësaj bote. Me rastin e Fitër Bajramit, ju uroj çdo bekim, sikurse lutem që atmosfera e kësaj Dite të Begatë të jetë reflektim i mëshirës, faljes, bamirësisë, shpirtgjerësisë, zemërmadhësisë, që përjetuam gjatë muajit të begatë të Ramazanit.
I lutem All-llahut të Madhëruar, nga ky vend i bekuar, pranë Resulull-llahut (a.s.), që dita e Fitër Bajramit dhe ato që e pasojnë, të jenë një mundësi e mirë për të dëshmuar gjithsecili prej nesh aftësinë e tij për të ndërtuar në jetën e përditshme marrëdhënie të shkëlqyera me njëri-tjetrin, brenda familjes, me farefisin, me punën, si dhe për të dëshmuar ditë pas dite aftësinë tonë për t’u rritur dhe për t’u lartësuar drejt më të mirës, sipas udhëzimit dhe porosive të Zotit të gjithësisë dhe Pejgamberit tonë, Hz. Muhammedit (a.s.)! All-llahu e begatoftë Shkodrën, Shqipërinë dhe mbarë ymetin islam, me bekimet dhe mëshirën e Tij, për të cilën kemi shumë nevojë!
Paqja dhe begatia mbuloftë vendin dhe shoqërinë tonë, për ta nxjerrë atë nga errësira ku është zhytur, drejt dritës së përparimit, qytetërimit, zhvillimit dhe ecjes hap pas hapi me vendet e qytetëruara, ku besimi dhe vlerat e tij respektohen, nderohen dhe janë busull orientimi për mbarë shoqërinë! All-llahu ju dashtë dhe ju pranoftë! Me zemër të mirë Fitër Bajramin!”

Lexoni dhe kete

KARTA E STUDENTIT, REAGON ZV/REKTORI I SHKODRES

Zëvëndës rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës Gëzim Dibra ka dale në një konferencë …