Monday , 16 September 2019

FRANKO BURRAJ VENDOS REKORD TË RI KOMBËTAR NË 200 METRA

Aktiviteti i atletikës i organizuar nga Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia me rastin e 100 vjetorit të klubit, është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme pasditen e së premtes dhe “qershia mbi tortë” ka qenë padyshim rekordi i ri kombëtar i vendosur nga ana e atletit shkodran Franko Burraj. Në garën e 200 metrave, ai ka vendosur kohën e re prej 21 sekondash e 45 të qindtat duke thyer rekordin e vendosur 21 vite më parë nga shkodrani tjetër Oltion Luli. Madje ky i fundit ka qenë ndër të parët që e ka përgëzuar rekordmenin e ri. Vetë Burraj është shprehur shumë i lumtur për këtë rezultat të ri të vendosur dhe ka premtuar rezultate edhe më të larta në të ardhmen, ndërkohë që trajneri i tij Bruno Rrotani ka vlerësuar punën dhe sakrificën e bërë për të mbërritur deri tek kjo ditë.

Në garat e zhvilluara pasditen e së premtes në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, gara këto që kthehen pas plot 21 vitesh në këtë qytet, kanë spikatur edhe atletë të tjerë shkodranë. Kështu, në garën e 100 metrave për meshkuj ka fituar atleti i Vllaznisë Eridon Qardaku ndërsa në garat e kërcimit së gjati dhe trehapësh për femra në vend të parë është renditur atletja shkodrane Erisa Rrasa. Mbi të gjitha rëndësi ka që aktivitetet e atletikës u rikthyen sërish në Shkodër dhe për më tepër, ky qytet vazhdon të na dhurojë kampionë e rekordmenë të mëdhenj dhe rasti më i fundit është padyshim Franko Burraj.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA HUMBET NË FUND MIQËSOREN E DYTË NË KOSOVË

Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk ia ka dalë që të fitojë miqësoren e dytë …