Wednesday , 13 June 2018

FRANKO BURRAJ VETËM 27 TË QINDTAT LARG REKORDIT KOMBËTAR

Prej dy muajsh atleti shkodran Franko Burraj është duke iu ofruar shumë pranë thyerjes së rekordeve kombëtare në garat e 200 dhe 400 metrave megjithatë ende nuk ia ka dalë. Kjo nuk do të thotë se nuk do t’i thyejë sepse forma sportive që po kalon atleti 20 vjeçar është e shkëlqyer. Edhe në garat e Lojërave Mesdhetare të 23 vjeçarëve që u zhvilluan këtë fundjavë në Jesolo të Italisë, sportisti i klubit Vllaznia ka qenë shumë pranë rekordit kombëtar në garën e 400 metrave. Ai ka arritur kohën 47 sekonda e 8 të qindtat duke qenë vetëm 27 të qindtat larg rekordit kombëtar të vendosur nga shkodrani i mirënjohur Ilir Xhani në vitin e largët 1997.

Në këto Lojëra kanë qenë pjesmarrës 400 sportistë nga 23 vende të Mesdheut dhe garat kanë patur shumë rivalitet. Nga vendi i ynë pjesmarrës ka qenë një nga sportistët më të mirë të momentit, atleti i Vllaznisë Franko Burraj. Ai ka konkurruar në disiplinat e 200 dhe 400 m. Në të parën, për shkak të një faulli është skualifikuar megjithatë vëmendja është përqendruar tek gara e 400 metrave ku ndonëse është renditur i teti, ka dhuruar një kohë shumë të mirë. Trajneri i tij Bruno Rrotani që e ka shoqëruar edhe në këtë aktivitet shprehet i kënaqur me paraqitjen e sportistit të tij dhe pavarësisht se në këtë garë nuk arriti sërish ta thyente rekordin, ai është i bindur se kjo gjë do të ndodhë në garën më të afërt.

Madje, objektivi është edhe thyerja e rekordit në 200 metra, rekord që edhe ky mbahet nga një tjetër shkodran, Oltion Luli. Franko Burraj padyshim që është një sportist cilësor i cili po spikat në të gjitha garat e zhvilluara gjatë këtij viti dhe natyrisht që edhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Atletikës e kanë si prioritet plotësimin e kërkesave për pjesmarrje në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare siç ishin Lojërat Mesdhetare të 23 vjeçarëve që u zhvilluan sëfundmi në Itali. Objektivi është që në garat të cilat do të zhvillohen në fund të këtij muaji në Spanjë, atleti i Vllaznisë të arrijë të thyejë njërin nga këto rekorde që ka si pikësynim.

Lexoni dhe kete

OFERTA PËR LOJTARËT KUQEBLU, HAXHIOSMANOVIÇ DO PANKINËN

Tek Vllaznia është e sigurtë se përveç Kalajës do të ketë edhe largime të tjera. …