FSHF MUND TË SHTYJË SUPERLIGËN, “GËZOHET” VLLAZNIA

Disa prej skuadrave të Superligës shqiptare janë duke kaluar probleme sa i takon liçensimit të tyre për pjesmarrjen në sezonin e ri dhe kjo gjë mund ta detyrojë Federatën Shqiptare të Futbollit për të shtyrë nisjen e kampionatit të ri. Katër prej ekipeve të saj, në mes tyre edhe Vllaznia bashkë me Tiranën, Flamurtarin dhe Luftëtarin, kanë probleme detyrimesh tatimore prandaj dhe afati i lënë deri më 31 korrik për liçensim duket se nuk do të prodhojë ndonjë zgjidhje.

Përpos tyre tashmë edhe Skënderbeu ka probleme pas mbetjes në fuqi të dënimit nga UEFA dhe në këto rrethana, bëhen plot 5 ekipe të cilat nuk kanë garancinë e duhur për nisjen e sezonit. Situata e paqartë me Skënderbeun e sidomos shpërbërja e klubeve që janë në krizë financiare e të lidhur ngushtë me ngjarjet politike në vend, ka bërë që kampionati të jetë shumë larg normalitetit që duhet për të planifikuar fillimin dhe zhvillimin normal të tij që në datë 24 gusht. Telashi i madh i Federatës është me klubet që kanë detyrimet të prapambetura, të cilët i ka kërcënuar hapur se do të përjashtohen nga aktiviteti.

Tirana të paktën ka filluar stërvitjen, ndërsa Luftëtari, Flamurtari e Vllaznia janë ende në ajër, të lidhur edhe me situatën politike në vend, duke shtyrë ditë pas dite fillimin e punës. Në rastin e ekipit shkodran, situatë është shumë më e komplikuar pasi klubi është 100% në varësi të Bashkisë e nëse vazhdon ngërçi politik, kuqeblutë do të jenë të parët që do ta vuajnë duke mos filluar punën për sezonin e ri pa asnjë afat të saktë. Dy klubet e tjera thjesht duhet të gjejnë një financues për të shlyer një pjesë të borxheve, pro kanë si problem madhor faktin se tashmë lojtarët nuk duan të luajnë për ta.

Në këto rrethana, FSHF pritet që bashkë më vendimin e 31 korrikut, ku vështirë se do të vendosë për përjashtimin e ndonjë ekipi, të komunikojë edhe shtyrjen e fillimit të Superiores, pasi në kushtet aktuale, nuk mund të zhvillohet një kampionat normal.

Lexoni dhe kete

ÇIKLIZËM/ BRUNO KOLA DHE VLLAZNIA, FITUES NË TROFEUN “KORÇA”

Çiklistët e Vllaznisë kanë dominuar në etapën e parë të trofeut “Korça” zhvilluar pasditen e …