FSHF U PROPOZON KLUBEVE 3 VARIANTE PËR KAMPIONATIN

Ndërprerja e kampionatit për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, u ka krijuar një problem të madh klubeve të Superligës të cilat përmes një letre i janë drejtuar Qeverisë shqiptare duke i kërkuar asaj mbështetje financiare. Klubet e Superiores, pjesa më e madhe jane shoqëri aksionere dhe vetëm dy kanë shoqata. Megjithatë, në një strukturë aksionere që kanë, pjesa dërrmuese financohet nga bizneset. Përveç atyre që janë bizneset vetë aksionerë, janë edhe sponsorët që i mbështesin. Në këtë situatë është normale që këto klube të ndjehen në vështirësi sepse bizneset janë në vështirësi me bllokimin e aktivitetit.

Ndaj në këtë situatë ku pjesa më e madhe e tyre ndjejnë nevojën e një mbështetje financiare të paktën minimalisht për të përballuar detyrimet ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të klubeve, ata presin një ndihmë nga Qeveria por ende nuk ka asnjë siguri nëse kjo do të vijë apo jo. Nga ana tjetër, vetë Federata Shqiptare e Futbollit u ka propozuar klubeve tre variante për rinisjen e kampionatit duke nisur nga data 2 maj, për të vazhduar me variantin e dytë që ndeshjet të nisin më 9 maj dhe i treti që gjithçka të startojë më 17 maj.

Pritet që për 10 ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit të ketë një ngjeshje të kalendarit që gjithçka të mbyllet në fillim të muajit korrik. Por nga ana tjetër, në të tre këto variante ka një ndryshim të strukturës së Kupës të Shqipërisë. Nëse ndeshjet e turit çerekfinal dhe gjysmëfinal janë të planifikuara aktualisht me dy përballje, pra vajtje- ardhje, tani mendohet që të ketë vetëm një sfidë dhe ajo të zhvillohet në fushë asnjanëse. Megjithatë të gjitha këto janë vetëm parashikime sepse nuk ka asgjë të sigurtë sa i takon situatës së covid-19 dhe për këtë arsye, ekipet tona të futbollit, ashtu si në gjithë Europën nuk e kanë të sigurtë se kur do të zbresin në fushë.

Lexoni dhe kete

FSHB VENDOS: KAMPIONATI DO MBYLLET NË PARKET

Ndonëse gjysma e ekipeve pjesmarrëse të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj kishin kërkuar që …