FSHF VENDOS QË KAMPIONATET TË VIJOJNË, POR PA TIFOZË

Pavarësisht situatës së krijuar në vend për shkak të koronavirusit, futbolli do t’i vijojë normalisht kampionatet kombëtare për të gjitha kategoritë. Kështu është vendosur nga Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit i cili pas mbledhjes së jashtëzakonshme të zhvilluar ditën e djeshme dhe komunikimeve zyrtare me Këshillin e Ministrave, ka vendosur të njoftojë klubet se aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë sipas kalendarit zyrtar të parashikuar nga Sektori i Garave, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Kjo masë është marrë pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe në respekt të ruajtjes së shëndetit publik të sportdashëve dhe të gjithë personave të përfshirë në garën futbollistike në vend. Në këtë kontekst, nga dita e premte e në vijim do të vijojnë të luhen normalisht të gjitha ndeshjet duke nisur nga ato të Kategorisë Superiore, të kategorisë së parë, të moshave e për të vazhduar edhe me ndeshjet e kampionatit të femrave. Për këtë arsye, ekipet e futbollit kanë vijuar normalisht stërvitjen por ato kanë marrë porosi për të bërë shumë kujdes.

Edhe Vllaznia nga dita e sotme i është rikthyer sërish stërvitjes duke nisur përgatitjet për sfidën e rradhës, atë që do të luajë ditën e shtunë në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas. Pas dy rezultateve të fundit pozitive, Vllaznia do të kërkojë të marrë edhe një të tretë këtë fundjavë sepse vetëm kështu mund të shkohet drejt arritjes së objektivit. Stafi teknik ua ka bërë të qartë futbollistëve se sfida e Vlorës nuk duhet marrë aspak lehtë sepse Flamurtari ka treguar se mund të marrë pikë ndaj çdo skuadre dhe do të tentojë ta bëjë këtë gjë edhe të shtunën ndaj kuqebluve.

Lexoni dhe kete

SITUATA TE VLLAZNIA, REAGON BASHKIA SHKODËR

NJOFTIM:Bashkia Shkodër po ndjek me shqetësim situatën e krijuar pranë KF Vllaznia, për shkak të …