FUTBOLL FEMRA/ VLLAZNIA DREJT TITULLIT TË GJASHTË KAMPION

Vllaznia e futbollit të femrave vazhdon të ecë e sigurtë drejt titullit të gjashtë kampion rradhazi. Ajo ka fituar në ndeshjen e javës së kaluar ndaj njërës prej rivaleve të saj, pikërisht Kinostudios, me rezultatin e pastër 5-0. Në këtë mënyrë, vajzat kuqeblu kanë mënjanuar përfundimisht nga gara për titull njërën prej rivaleve të tyre, megjithatë ende asgjë nuk ka përfunduar. Të shtunën në orën 13.00 në fushën “Reshit Rusi”, Vllaznia do të luajë ndaj Apolonisë së Fierit dhe për rrjedhojë një tjetër fitore edhe ndaj saj, do ta afronte edhe më shumë drejt titullit kampion.

Madje, ai mund të zyrtarizohet që të shtunën nëse rivali tjetër i shkodraneve, pikërisht Tirana AS nuk fiton në përballjen ndaj Kinostrudios. Megjithatë për vajzat e drejtuara nga trajneri Nikolin Leka shpallja kampion është thjesht çështje kohe dhe mund ta festojnë atë përpara ndeshjes së fundit të kampionatit që do të luajnë në kryeqytet ndaj Tirana AS. Ecuria e këtij ekipi është e shkëlqyer sepse i ka fituar të 19 ndeshjet e luajtura deri më tani dhe për më tepër, golaverazhi i tij është fantastik.

Ai ka shënuar plot 134 gola dhe ka pësuar vetëm 2. Po ashtu, një tjetër fakt interesant është se 73 gola janë shënuar nga Megi Doçi, sulmuesja dhe lojtarja më e mirë e këtij ekipi. Dhe me këto shifra, Vllaznia padyshim që e meriton titullin e gjashtë kampion rradhazi, për ta çuar në këtë mënyrë në 12 numrin e trofeve të fituar këto gjashtë vite dhe duke treguar se mbetet e pathyeshme në futbollin shqiptar të femrave.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA ZHGËNJEN NË FINALE, TRAJNERI CANAJ: DREJTUESIT DUHET TË NDËRHYJNË

Ndryshe nga sa pritej, Vllaznia ka bërë një paraqitje zhgënjyese në ndeshjen finale ndaj Bylisit. …