Thursday , 22 February 2018

GJOKA: FITORJA NË LUSHNJË ËSHTË JETIKE PËR VLLAZNINË

Ndeshja e së shtunës në Lushnjë konsiderohet jetike për ekipin e Vllaznisë dhe vazhdimësinë  e tij në kampionat. Një mendim të tillë e kanë jo vetëm tifozët shkodranë por edhe trajneri Ernest Gjoka. Ditën e sotme, klubi shkodran nuk ka organizuar konferencën e zakonshme të shtypit duke kërkuar ta lërë skuadrën të përgatitet në qetësi por ndërkohë, trajneri i saj ka dhënë një prononcim për faqen zyrtare të klubit. Sipas tij, gjatë gjithë këtyre ditëve stafi ka punuar jo pak me futbollistët për të kapërcyer situatën jopozitive që mbizotëron në skuadër duke ua bërë të qartë se duhet dalë prej saj. Padyshim që mungesat e Krymit dhe Çinarit janë të rëndësishme ngaqë skuadra ka krijuar një fizionomi loje me këta dy futbollistë por numri 1 i pankinës shkodrane ka deklaruar se të tjerët që do të luajnë do të japin maksimumin duke treguar personalitet dhe dinjitet për të kaluar këtë moment delikat të skuadrës.

Vetë trajneri Gjoka e ka cilësuar shumë të rëndësishme përballjen me Lushnjën duke e vlerësuar si jetike për vazhdimësinë. Ajo çfarë ai do të ndryshoë për këtë takim është vetëm që të bëjë futbollistët e tij të kuptojnë përgjegjësinë dhe të tregojnë se janë të aftë që edhe nën presion, t’ia dalin. Ai shpreh besimin se në skuadër ka djem që kanë personalitet dhe që dinë të marrin përgjegjësi në momente të rëndësishme. Në fund të prononcimit të tij, trajneri i Vllaznisë ka deklaruar se skuadra nuk ka rrugë tjetër përveç fitores ndaj Lushnjës. “Duhet të shkojmë për të marrë maksimumin edhe pse e dimë vështirësinë e ndeshjes. Por në këto momente duhet të ringrihemi për hir të vetes dhe për hir të qytetit i cili po e përjeton këtë situatë njësoj si ne. Dhe ne e kemi detyrë jo vetëm profesionale por dhe qytetare të ringrihemi. Unë besoj tek skuadra se do të arrijë të bëjë më të mirën për të dalë nga ky ngërç”- e ka mbyllur prononcimin e tij Ernest Gjoka. Ndeshja Lushnja- Vllaznia do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës dhe për kuqeblutë, asnjë rezultat tjetër veç fitores nuk vlen.

Lexoni dhe kete

TË ENJTEN NË ELBASAN FINALJA E U-19, VLLAZNIA- SHKËNDIA

Pasditen e së mërkurës në “Elbasan Arena” do të zhvillohet finalja e Kupës së Shqipërisë …