Breaking News

GJOKA I LARGUAR EDHE JO. PRITET ZYRTARIZIMI I DORËHEQJES

Ndeshja ndaj Partizanit duket se ka qenë e fundit në stolin e Vllaznisë për teknikun Ernest Gjoka. Largimin nga pankina kuqeblu ai e ka deklaruar menjëherë pas kësaj ndeshje por vetëm pas kuintave dhe në një bisedë konfidenciale me një gazetar. Asnjë reagim publik, asnjë komunikim me mediat dhe trajneri kryeqytetas tashmë duket fakt i kryer që nuk do të jetë më trajner i kuqebluve. Megjithatë, për ta zyrtarizuar këtë gjë, duhet depozituar një kërkesë me shkrim për dorëheqjen e tij dhe vetëm pasi të ndodhë kjo, drejtuesit e klubit do të nisin punën për gjetjen e njeriut që do ta zëvendësojë atë për dy ndeshjet e fundit.

Gjoka padyshim që ka pjesën e tij të fajit në dështimin e Vllaznisë së këtij sezoni. Nuk mund të përcaktojmë nëse ka një pjesë të madhe apo të vogël, por e rëndësishme është që është pjesë e tij. Ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë histori është largimi i tij para se të mbarojë kampionati, kur i duhen edhe dy javë deri në fund të tij. Ndodh kështu, vetëm pak ditë përmes një letre të hapur ky trajner u drejtohej futbollistëve të tij duke u thënë se “burrat nuk tërhiqen nga lufta. Dhe në fakt, Ernest Gjoka u tërhoq vetë. Atëherë kur gjërat janë përkeqësuar më shumë se kurrë për Vllazninë dhe ajo është me një këmbë në kategorinë e parë.

Kanë mbetur për t’u luajtur edhe 180 minutat e fundit të kampionatit dhe kuqeblutë ndodhen plot pesë pikë larg Kamzës, çka do të thotë se shanset janë thuajse zero për një qëndrim të tyre në Superligë. Edhe trajneri që do të vijë, thjesht do të bëjë detyrën për të qenë dikush në pankinë. Skuadrës aktuale nuk i bën më punë askush dhe ata që e vuajnë më shumë janë sportdashësit shkodranë sepse skuadra e tyre e zemrës mund të bjerë një kategori më poshtë sërish pas 57 vitesh.

 

Lexoni dhe kete

TRAJNERI ERNEST GJOKA JEP DOREHEQJEN NGA VLLAZNIA

Humbja në kryeqytet thellon krizën tek shkodranët. Pas afrimit me Kategorinë e Parë, kuqeblutë tashmë …