IZMIR SMAJLAJ NË JANAR DREJT TURQISË PËR STËRVITJE

Atleti shkodran Izmir Smajlaj në muajin janar do të udhëtojë drejt Turqisë për të zhvilluar fazën e fundit të përgatitjeve për pjesmarrjen në Kampionatin Ballkanik dhe atë Europian që do të zhvillohen në muajin shkurt. Ai gëzon një formë shumë të mirë sportive aktualisht dhe do të tentojë ta ruajë atë deri në momentin kur do të zbresë në pistë. Para disa kohësh, 24 vjeçari shkodran është stërvitur për disa ditë në San Marino bashkë me trajnerin Gjergj Ruli dhe ka arritur të kërcejë deri në 8 metra e 32 centimetra në një test kontrolli që ka zhvilluar në Ankona të Italisë.

Me këtë rezultat, ai padyshim që do të tentojë të shpallet sërish Kampion Europe dhe Kampion Ballkani sepse të gjithë konkurrentët e tjerë nuk kanë kërcyer më shumë sesa 8 metra e 20 centimetra deri më tani. Megjithatë vetë Smajlaj nuk ka dëshirë që për momentin të nxitohet në deklaratat e tij. Në ditët e para të janarit ai do të udhëtojë drejt Turqisë sepse do të qëndrojë për disa ditë atje për stërvitje. Njëkohësisht do të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet në Stamboll më 11 janar.  Padyshim që objektivi i tij do të jetë për të zënë vendin e parë në këtë miting ndërkohë që Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura do të zhvillohet më 17 shkurt po në Stamboll. Pas këtij aktiviteti.

Pak ditë më vonë, në Berlin të Gjermanisë do të zhvillohet Europiani i Sallave të Mbyllura ku sërish do të tentojë vendin e parë, për të mbrojtur kësisoj titullin kampion të kontinentit që fitoi këtë vit në Beograd. Sigurisht që Izmir Smajlaj bashkë me Luiza Gegën janë krenaria e sportit shqiptar për momentin dhe padyshim që do të synojnë medalje edhe në aktivitetet ndërkombëtare që do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm.

Lexoni dhe kete

ZHVILLOHET KUPA “MEJDAN ZHIVANI” PËR MOSHAT NË FUTBOLL

Paraditen e së enjtes është zhvilluar një aktivitet shumë interesant në Shkodër, pikërisht kupa “Mejdan …