Breaking News

IZMIR SMAJLAJ RENDITET I GJASHTI NË KAMPIONATIN EUROPIAN

Atleti shkodran Izmir Smajlaj nuk ka arritur dot të marrë medalje në garat e Kampionatit Europian që janë duke u zhvilluar në Berlin të Gjermanisë. Disiplina e kërcimit së gjati është shoqëruar me një konkurrencë të fortë dhe këtë e tregon më së miri fakti që pesë sportistët e vendeve të para kanë kërcyer mbi 8 metra. Ndërkohë, Smajlaj kërcimin e tij më të mirë e ka patur 7.99 metra, me të cilin është renditur në vendin e gjashtë në kontinent. Sigurisht që nuk ka qenë gara e tij më e mirë, pasi ka bërë edhe tre faulla nga gjashtë kërcimet e mundshme ndërkohë që vetë shkodrani përmes një postimi në faqen e tij në facebook pas garës ka akuzuar edhe gjyqtarin për manipulim rezultati. Smajlaj ka publikuar edhe videon e një kërcimi të tij ku pamjet dhe fotot tregojnë qartë se e ka kaluar distancën e 8 metrave, por çuditërisht gjyqtaria fillimisht ka deklaruar distancën 7.47 dhe më pas 7.74 metra.

“Më vjen keq që edhe në Kampionatin Europian të zhvilluar në Berlin të ketë manipulime në rezultat. Ky gabim tepër i rëndë dhe tepër i qartë për të gjithë, më dëmtoi imazhin tim si kampion Europian i sallave të mbyllura aktual dhe më dëmtoi moralisht që të isha në zonën e medaljeve këtë vit. Unë si atlet, bashkë me Federatën Shqiptare të Atletikës, kemi denoncuar këtë rast në institucionet përkatëse dhe do bëhen verifikimet e duhura”- shkruan fillimisht Smajlaj. Duket qartë se ai është i zhgënjyer sepse nëse kërcimi do të vlerësohej si duhej, ai mund të ishte sot medalist i Europës.

Por sportisti shkodran ka dhënë edhe më mesazh për të gjithë admiruesit e tij duke shtuar: “Shpresoj më të mirën. Ju falenderoj dhe ju premtoi që në vazhdim do të ngjitem në podium në çdo kampionat për të nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët”. E habitshme në fakt që edhe në një event të tillë siç është Kampionati Europian të ketë akuza për manipulim rezultatesh nga ana e gjyqtarisë por ja që edhe aty ndodhin gjëra të tilla.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-19 NË PRITJE TË KONFIRMIMIT NGA UEFA

Ndonëse është konfirmuar zyrtarisht si pjesmarrëse edhe sivjet në Ligën e Kampioneve të Europës për …