IZMIR SMAJLAJ RIKONFIRMOHET SI KAMPION BALLKANI

Atleti shkodran Izmir Smajlaj rikonfirmohet për të dytin vit me rradhë si Kampion i Ballkanit. Një verdikt i tillë ka dalë pas garave të zhvilluara pasditen e së shtunës në Stamboll të Turqisë. Në këtë mënyrë, ky sportist ka përsëritur suksesin e arritur vitin e kaluar në kampionatin e zhvilluar në Beograd të Serbisë. Në garat e djeshme, Smajlaj nuk ka arritur rezultatin e tij më të mirë teksa ka arritur të kërcejë 7 metra e 80 centimetra por për të e rëndësishme ishte medalja e artë dhe duke parë se kundërshtarët e tij ishin larg, nuk është sforcuar.

Në një prononcim të dhënë pas garës, ai ka deklaruar se vazhdon një periudhë stërvitje me ngarkesa sepse është i fokusuar tek garat e ardhshme që janë edhe më të rëndësishme por për të, e rëndësishme ishte zënia e vendit të parë dhe marrja e medaljes së artë në këtë aktivitet. Padyshim që kjo ka më shumë rëndësi se çdo tjetër në këto momente sepse Izmir Smajlaj vazhdon të jetë një nga sportistët më elitarë në vend. Titulli i Kampionit të Europës në salla të mbyllura që ka marrë vitin e kaluar dhe dy titujt kampion i Ballkanit, janë një biografi e pasur sportive për të dhe të mos harrojmë që është vetëm 24 vjeç.

Për t’u përmendur është fakti se në garat e Stambollit, përveç tij, medalje të artë ka marrë edhe atletja tjetër e talentuar, pjesë e kombëtares shqiptare, Luiza Gega. Në garën e 3000 metrave edhe ajo ka zënë vendin e parë. Pjesë e kombëtares tonë në këtë eveniment kanë qenë edhe dy atletë të tjerë shkodranë. Kështu, Franko Burraj ka konkurruar në garën e 400 metrave dhe është renditur në vendin e katërt duke qenë shumë pranë zonës së medaljeve.

Ndërkohë, në garën e kërcimit së gjati ka konkurruar edhe Ergys Gjeçaj që është renditur në vendin e tetë. Gjithsesi, ne duhet patjetër të krenohemi me arritjet e Izmir Smajlaj që me rezultatet e tij po shndërrohet në ambasadorin e sportit shqiptar në botë.

Lexoni dhe kete

ZHVILLOHET EDICIONI I XVII-të i TURNEUT “NËNË TEREZA” NË XHUDO

Për të 17-tin vit me rradhë në Shkodër është zhvilluar turne ndërkombëtar i moshave në …