Saturday , 20 January 2018
Breaking News

KAMPIONATI I FEMRAVE, VLLAZNIA PRET KINOSTUDION

Kampionati kombëtar i futbollit të femrave që ka nisur javën e kaluar, ditën e nesërme do të zhvillojë ndeshjet e javës së dytë të tij. Në Shkodër do të zhvillohet ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave, ajo në mes Vllaznisë kampione në fuqi dhe Kinostudios. Këto dy ekipe kanë qenë më të mirat e kampionatit të kaluar teksa kryeqytetaset u munduan të rivalizojnë deri në fund për titullin kampion por sigurisht që ishte shumë e vështirë për ta, që t’ia rrëmbenin vajzave shkodrane. Edhe në kampionatin e ri duket e njëjta histori ndonëse përveç ekipit të Kinostudios, edhe ato të Tiranës, Apolonisë do të mundohen t’i rivalizojnë kampionet në fuqi.

Megjithatë përbërja që ka ekipi i Vllaznisë edhe në këtë sezon u lë pak vend për shpresa atyre. Ndeshja ndaj Kinostudios do të luhet paraditen e së shtunës në orën 11.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”. Trajneri Nikolin Leka dhe vajzat që ai drejton padyshim që do të kërkojnë fitoren dhe madje, do të tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë si një sezon më parë kur pikësynimi i tyre ishte për të shënuar sa më shumë gola dhe për të mos pësuar asnjë.

Sakaq, dy ekipet e tjera të Shkodrës, ai i Akademisë Ajaks dhe Juban Danja, do t’i luajnë ndeshjet e tyre ndaj ekipeve debutuese të këtij kampionati. Kështu, Akademia Ajaks do të presë në Shkodër ekipin e Pogradecit ndërsa Juban Danja do të luajë në Maliq ndaj Bilisht Sport. Në kampionatin e sivjetëm, i nënti që zhvillohet në Shqipëri, Vllaznia pritet të jetë sërish fituese dhe ky do të jetë titulli i pestë kampion rradhazi.

Lexoni dhe kete

KAMPIONI I BOTËS ELIS GURI, PROMOTORI I “NATËS SË BOKSIT”

Viti 2018 do të nisë ndryshe për boksin shqiptar. Federata Shqiptare e Boksit, në bashkëpunim …